- Pesë vjet më parë Osetia e Jugut u bë subjekt vlerëplotë i së drejtës ndërkombëtare. Me cilat shtete ka vendosur ajo deri më sot marrëdhënie diplomatike?

- Sot ne kujtojmë ditët e paharrueshme të fillimit të agresionit të Gjeorgjisë kundër popullit të Osetisë së Jugut. Më 26 gusht të vitit 2008 doli dekreti i Presidentit të atëhershëm të Rusisë, Dimitri Medvediev, për njohjen e Republikës së Osetisë së Jugut. Ne krenohemi me faktin se pavarësinë e Osetisë së Jugut e njohu një vend i tillë i madh si Federata Ruse. Republika jonë është njohur edhe nga Nikaragua, Venezuela, Republika e Naurusë dhe Tuvalu. Republika e Osetisë së Jugut ka vendosur gjithashtu marrëdhënie diplomatike me Abhazinë (Abkhazinë) dhe Republikën moldave Transnistria.

Ne jemi duke punuar në drejtim të zgjerimit të numrit të vendeve që njohin pavarësinë e republikës sonë, por në këtë rrugë hasim rezistencë të ashpër nga ana e Gjeorgjisë dhe vendeve që e mbështesin atë. Përkundër kësaj, politika jonë e jashtme ka për qëllim krijimin e lidhjeve më të ngushta me botën e jashtme, zhvillimin e shoqërisë dhe shtetit nëpërmjet ndërveprimit jo vetëm me Rusinë, por edhe me vendet e tjera, organizatat dhe institutet e ndryshme ndërkombëtare.

- Zoti President, a mund të na tregoni, ju lutem, se si po zhvillohen sot marrëdhëniet e Republikës së Osetisë së Jugut me shtetet fqinje?

- Osetia e Jugut kufizohet në veri me vendin mik - Rusinë. Gjatë kohës që ka kaluar që nga gushti i vitit 2008 janë nënshkruar rreth 70 marrëveshje ndërkombëtare në nivele të ndryshme mes Republikës së Osetisë së Jugut dhe Federatës Ruse. Rusia ofron mbështetje maksimale për zhvillimin ekonomik të Osetisë së Jugut, jep një kontribut të rëndësishëm në garantimin e sigurisë së territorit tonë si dhe ndihmon realisht shtetin tonë për të zgjidhur një varg të tërë çështjesh sociale. Populli i Osetisë së Jugut i është tejet mirënjohës Federatës Ruse, lidershipit më të lartë politik për miratimin në vitin 2008 të vendimeve të rëndësishme që shpëtuan kombin tonë nga vdekja e sigurt.

Përsa i përket zonës jugore të Republikës së Osetisë së Jugut, atje ajo kufizohet me Gjeorgjinë. Me Gjeorgjinë aktualisht ne nuk kemi kurrfarë lidhjesh. E vetmja platformë politike, ku përfaqësuesi i Osetisë së Jugut dhe ai i Gjeorgjisë së bashku me përfaqësuesit e Rusisë, Abhazisë (Abkhazisë) dhe vendeve të tjera mund të shkëmbejnë pikëpamjet e veta mbi çështje të ndryshme të sigurisë njerëzore, është ajo e debateve politike në Gjenevë. Në kuadër të këtyre diskutimeve funksionojnë mekanizmat për parandalimin dhe zgjidhjen e incidenteve. Takimet në kuadër të këtij mekanizmi mbahen rregullisht, por diskutimet e Gjenevës, pavarësisht nga përpjekjet e Rusisë, Osetisë së Jugut dhe Abhazisë, për shkak të pozitës së Gjeorgjisë nuk ka arritur atë nivel që do të ishte i dobishme për të gjitha palët.

- Si mund ta karakterizoni situatën ekonomike dhe demografike në Republikën e Osetisë së Jugut?

- 20 vjet ne kemi qenë nën presion të vazhdueshëm nga ana e Gjeorgjisë, ekonomia, si pasojë e disa luftërave, pothuajse u rrënua fare, situata demografike gjithashtu ndryshoi në vektorin negativ.

Linja e politikës sonë është e drejtuar sot për shfrytëzimin aktiv të teknologjive inovative në industri dhe bujqësi. Ne planifikojmë të rifillojmë prodhimin (nxjerrjen) e lëndëve të para dhe përpunimin e tyre. Ekzistojnë mundësi të mira për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla. Republika ka shumë ujëra minerale, tani po bëhet një punë serioze për përcaktimin e tregjeve të shitjes së tyre.

Gjatë 20 viteve të fundit si pasojë e luftërave, që iu imponuan Osetisë së Jugut nga Gjeorgjia, kanë humbur jetën shumë e shumë mbrojtës të rinj të saj. Fondi gjenetik i Osetisë së Jugut praktikisht u asgjësua fare. Shumë nga banorët e Osetisë së Jugut u detyruan të braktisin vatrat e veta amëtare dhe të migrojnë jashtë kufijve të vendit. Të gjitha kjo kanë ndikuar ndjeshëm në situatën demografike. Por tani ka filluar kthimi i shtetasve tanë në republikë. Tek ne po zhvillohet mirë sistemi i kujdesit shëndetësor.

- Zoti President, a mund të na tregoni mbi zhvillimin e forcave të armatosura të Republikës së Osetisë së Jugut?

- Forcat e Armatosura të Osetisë së Jugut u formuan në vitin 1993, ato kanë përshkuar një rrugë shumë të vështirë. Ata, të cilët shërbejnë në forcat e armatosura, e kanë studiuar shkencën ushtarake direkt në fushën e betejës për shkak të sulmeve permanente të agresorëve gjeorgjianë. Përvoja 20 vjeçare e luftës për lirinë e vendit tonë, besimi i patundur se duhet mbrojtur me çdo kusht toka jonë, populli ynë, kanë luajtur një rol vendimtar në zhvillimin e forcave të armatosura të republikës. Në çështjen e forcimit të ushtrinë sonë ne i jemi mirënjohës Rusisë për faktin se shumë prej qytetarëve tanë marrin arsimin përkatës në institucionet e larta arsimore ushtarake në territorin e Rusisë.

- Zoti President, gjatë pesë viteve të fundit ka ndryshuar vallë në ndonjëfarë mënyre vlerësimi juaj i ngjarjeve të gusht-shtator të vitit 2008?

- Ne kemi një vlerësim të vetëm për këto ngjarje: ndihma në kohën e duhur nga ana e Rusisë për detyrimin e agresorit gjeorgjian për paqe shpëtoi popullin tonë. Askush nuk mund të harrojë kurrë se çfarë sprovash u desh të përjetojë populli ynë, ai ishte në kuptimin e plotë të fjalës në prag të zhdukjes. Ne nuk duhet të lëmë asnjëherë në harresë faktin se Gjeorgjia ndërmorri agresion kundër nesh, se humbën jetën për shkak të kësaj lufte shumë banorë paqësorë dhe ushtarakë, ndër të tjera edhe të ushtrisë ruse. Ne nuk do të harrojmë kurrë ndihmën e udhëheqjes së lartë politike të Rusisë, të popullit rus. Zgjedhja historike e popullit tonë - të jemi në jetë të jetëve me Rusinë. Dhe ne do të vazhdojmë të thellojmë proceset e integrimit me Rusinë.