Rusia në përgjigje të kësaj reagoi në këtë mënyrë: Presidenti i SHBA-së "e kishte dhe e ka akoma ftesën për të vizituar Rusinë".

Anulimi i çdo takimi bilateral në nivel të lartë nga ana e njërës palë është një veprim mjaft serioz. Dhe Moska nuk mund të mos mbetet e zhgënjyer nga ky hap i Barack Obamës. Por, duhet të theksohet se në qoftë se pas anulimit të udhëtimit në Moskë do të qëndronte ndonjë gjë me të vërtetë dramatike, atëherë për këtë Presidenti amerikan do të kishte deklaruar personalisht. Por kjo u bë në formën e një deklarate të shkurtër me shkrim nga Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë.

Administrata amerikane nuk e fshehu se anulimi i vizitës së Barack Obamës në Moskë është një përgjigje ndaj vendimit të Rusisë për t’i dhënë azil të përkohshëm politik ish-bashkëpunëtorit të CIA-s dhe NSA-së, Edward Snowden.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë është theksuar në mënyrë të drejtpërdrejtë se "vendimi zhgënjyes i Rusisë për t’i dhënë azil politik Eduard Snowden është bërë gjithashtu një faktor ndikues në vlerësimin e gjendjes së marrëdhënieve tona dypalëshe". Mes Moskës dhe Uashingtonit deri tani nuk ka një traktat ekstradimi. Meqë ra fjala, për fajin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe prandaj SHBA-ja nuk ka asnjë arsye për të shprehur pretendime në adresë të Rusisë mbi mosdorëzimin e Snowden.

"Vetë ky problem thekson qartë se SHBA-ja, si dhe më parë, nuk është e disponueshme për të ndërtuar ende marrëdhënie mbi një bazë të barabartë," - tha Ndihmësi i Presidentit rus, Juri Ushakov. Megjithatë, ai shtoi se "Presidenti i Shteteve të Bashkuara e kishte dhe e ka akoma ftesën për të vizituar Rusinë".

Në përgjithësi, Shtëpia e Bardhë e formuloi refuzimin e Obamës me shprehje të tilla, sikur fjalë bëhej jo mbi anulimin e vizitës, por për një shtyrje jo kohëgjatë të saj. "Ne i vlerësojmë arritjet tona me Rusinë gjatë mandatit të parë të drejtimit të Presidentit (Barack Obama), duke përfshirë edhe përfundimin e Traktatit të ri mbi shkurtimin e Armatimeve Strategjike Ofensive (START), bashkëpunimin për problemin e Iranit, Afganistanit dhe Koresë së Veriut", thuhet në njoftimin e posaçëm për shtyp. "Ne kemi informuar qeverinë ruse se e konsiderojnë më konstruktive shtyrjen e takimit deri në kohën e arritjes së rezultateve më të qenësishme në axhendën tonë të përbashkët".

Ekspertët rusë besojnë se Obama u detyrua me një gjest të tillë diplomatik të kënaqë kundërshtarët e republikanëve në Kongres, të cilët kërkuan ndëshkimin e rëndë të Rusisë për dhënien e azilit politik Edward Snowden. Kështu që ky demarsh i tij ishte dizajnuar më tepër për konsum të brendshëm dhe për hir të kënaqjes së Kongresit.