Arsyen për optimizëm evropianët e kanë vërejtur në figurën e Presidentit të ri iranian Hassan Rouhani. Ai menjëherë pas marrjes së detyrës së kryetarit të shtetit deklaroi se Teherani është i gatshëm për ta bërë programin e tij bërthamor edhe më transparent dhe premtoi se do të punojë në "bashkëveprim konstruktiv" me pjesën tjetër të botës. Presidenti i ri i quajti sanksionet e imponuara ndërkombëtare kundër Iranit "të pandershme" dhe u zotua të bëjë gjithçka të mundur për anulimin e tyre. Kjo, në përgjithësi, është dhimbja më e madhe e kokës tani për Hassan Rouhani. Ekonomia e Iranit ndodhet, sipas disa vlerësimeve, në gjendje parainfarkti pikërisht për shkak të këtyre sanksioneve ekonomike. Këtë e kupton për mrekulli jo vetëm Presidenti, por edhe iranianët e thjeshtë, të cilët mendojnë se ka ardhur koha për t’i dhënë fund konfrontimit të mprehtë në arenën ndërkombëtare.

Në përgjithësi, Rouhani shprehet i gatshëm për të biseduar me Perëndimin. Kurse Perëndimit nuk i mbetet gjë tjetër në përgjigje veçse të mbështesë dialogun e përvijuar. Megjithatë, shumë ekspertë besojnë se, në fakt, situata vazhdon të mbetet e njëjtë, pa ndonjë ndryshim të dukshëm. Ja mendimi i ekspertit rus për Azinë Qendrore dhe Lindjen e Mesme, Semjon Bagdasarov:

- Sigurisht, Irani nuk do të heqë dorë nga programi i tij bërthamor. Ai do të vazhdojë ta zhvillojë atë më tej. Në fakt po ndryshon vetëm retorika. Nëqoftëse Mahmoud Ahmadinexhad ka mbajtur një pozicion shumë të fortë, të palëkundur, Rouhani bën thirrje për ndofarë negociatash. Në Perëndim e kuptojnë fare mirë këtë. Evropa nuk është e gatshme për tensionimin e marrëdhënieve me Iranin, të cilat mund të çojnë në një konflikt ushtarak. Prandaj, evropianët kanë marrë time-out me qëllim që të ndërmarrin përpjekjet e nevojshme për qetësimin e situatës. Por pavarësisht nga të gjitha këto, rezultati i përftuar do të jetë i njëjtë me atë të mëparshëm.

Shumë janë të prirur për ta vlerësuar Hassan Rouhani si reformator, edhe pse është ende e vështirë për ta quajtur atë liberal. Gjithsesi, atë e mbështesin edhe konservatorët e moderuar, të cilët e shohin Presidentin e ri si shpresën e vetme për shpëtimin e regjimit nga rënia e mëtejshme e autoritetit për shkak të problemeve serioze ekonomike dhe të politikës së jashtme. Ja mendimi i Kryeredaktorit të portalit Terra America, Boris Mezhujev:

- Këtu problemi nuk konsiston në faktin nëse ka apo jo Rouhani pushtet real në Iran. Ai nuk do të ishte bërë kurrë president, nëqoftëse udhëheqja teokratike iraniane do të kishte qenë skeptike ndaj kandidaturës së tij. Por meqenëse Rouhani e zuri megjithatë kolltukun e presidentit të vendit, kjo do të thotë se regjimi është i gatshëm për të zbutur pozitën e vet në lidhje me programin e tij bërthamor. Opinioni i Hassan Rouhani pasqyron mentalitetin dominues brenda elitës drejtuese të Iranit. Madje më tepër se kaq, zgjedhja e Rouhani, në fakt, vazhdon linjën e përvijuar që një vit më parë të SHBA-së për zhvillimin e dialogut politik me Iranin. Ky nuk është akoma megjithatë çtensionim i marrëdhënieve, por dëshirë për të gjetur një kompromis.

Natyrisht, nuk ka gjasa që Perëndimi të ndryshojë qëndrimin e vet të vërtetë ndaj regjimit iranian. Me ose pa Hassan Rouhani Irani mbetet një teokraci, që është shumë larg standardeve demokratike të vendeve euro-atlantike.