Njoftimet më të tmerrshme, më drithëruese në ditët e fundit vijnë nga zona verilindore e Sirisë, nga rajonet kurde. Atje janë vrarë gati 450 pengje. Rreth 120 prej tyre ishin fëmijë, të tjerët - gra dhe të moshuar. Pengjet ishin anëtarë të familjeve të militantëve vullnetarë kurdë, të cilët po zhvillojnë luftime të ashpra dhe të suksesshme kundër ekstremistëve.

Metodat barbare, që kanë filluar të përdoren shpesh prej militantëve islamikë në Siri, po marrin format e spastrimit etnik dhe fetar. Sipas njoftimeve të stacioneve televizive arabe, në rajonet veriore të vendit muxhahidët e njësive të armatosura të grupeve "Dzhebhat en Nusra" dhe "Shteti Islamik" morrën peng rreth 400 alavitë. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit i vunë përpara me forcë duke i shtyrë në drejtim të kufirit turk. Në mesin e pengjeve ishte edhe njëri prej udhëheqësve të komunitetit Alavit, kleriku 80-vjeçar Badreddin Gazzal.

Alavitët, në aspektin e tipareve konfesionale, janë shumë të afërt me rrymën shiite të Islamit. Komunitetit të tyre i përket edhe Presidenti Bashar Al-Assad. Nga përafërsisht tre milionë alevitë të Sirisë, Libanit dhe Turqisë, pjesa më e madhe e tyre jetojnë në territorin e Sirisë.

Presidenti sirian Bashar Al-Assad deklaroi dje në Damask se dialog politik me militantët e opozitës nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë, dhe bëri thirrje për të dhënë mbi terroristët goditje "me një grusht të hekurt". Ai shpalli se punës me militantët mund t’i jepet fund brenda disa muajve.

Trupat qeveritare në të vërtetë janë duke korrur tani një fitore pas tjetrës dhe paqja në Siri me siguri do të vijë. Edhe pse afati i triumfit mbi rebelët i përmendur nga Bashar Al-Assad - disa muaj - duket joreal, tha për Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" Presidenti i Shoqatës ruse të Miqësisë dhe Bashkëpunimit në sferën e biznesit me vendet arabe Vjaçesllav Mutuzov:

- Unë mendoj se tani po vjen duke shteruar burimi i mbështetjes perëndimore për mercenarët sirianë dhe opozitën siriane. E gjithë kjo luftë dhe filloi falë mbështetjes së fuqishme financiare të vendeve perëndimore. Kjo mbështetje aktualisht po vjen duke u dobësuar, duke u zbehur gradualisht për shkak të faktit se po shterojnë burimet. Kurse Rusia, Kina dhe vendet e tjera të BRICS nuk do t’i lejojnë Perëndimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të ndërhyrë haptazi në luftën civile në Siri në anën e opozitës dhe mercenarëve të huaj.