Njerëzit nga Lëvizja "Tamarrod" ("Rebelimi") në Egjipt i konsiderojnë, pavarësisht moshës së tyre shumë të re, "etërit (baballarët) e Revolucionit të dytë egjiptian". Pikërisht ata - studentët, aspirantët, profesionistët e rinj - lansuan në prag të 30 qershorit (në ditën e përvjetorit të parë të qëndrimit të Mohammed Mursi në pushtet) fushatën mbarëkombëtare për dorëheqjen e tij. "Tamarrod" arriti të mbledhë atëhere më shumë se 22 milionë nënshkrime nën apelin adresuar Mohammed Mursi për t’u larguar nga pushteti. Lëvizja në fjalë u bë edhe organizatorja kryesore e marshimeve shumë milionëshe të protestës kundër politikës së "Vëllazërisë Myslimane" në fund të qershorit dhe fillim të korrikut. Pikërisht këto marshime dhe u bënë prelud për largimin e Mursi nga pushteti.

Rreth planeve të ardhshme të Lëvizjes "Tamarrod" Radiokompanisë "Zëri i Rusisë" i tregoi anëtari i Këshillit Qendror të saj Hassan Chahine:

- Unë dua t’i drejtohem nëpërmjet jush atyre mediave të huaja që e quajnë revolucionin tonë "grusht shteti ushtarak". Ajo që ndodhi në Egjipt ishte plotësim i vullnetit të popullit. Masa të mëdha njerëzish dolën në rrugë për të përmbysur regjimin tiranik të "Vëllazërisë Myslimane" dhe presidentit që nuk i justifikoi pritjet e egjiptianëve. Forcat e armatosura morën anën e popullit - dhe kjo ishte shumë e rëndësishme, sepse u bë e mundur shmangia e gjakderdhjes. Tani anëtarët e "Vëllazërisë Myslimane" e quajnë këtë "grusht shteti ushtarak", ndërsa në të vërtetë mbrojnë një projekt konkret politik dhe një person konkret, të cilin populli nuk e pranon si drejtues të vendit.

Edhe diçka tjetër që nuk pranojnë egjiptanët është ai rol që ka luajtur Ambasadorja amerikane në Kajro, Anne Patterson. Egjiptianët kanë kërkuar shpalljen e saj "persona non grata" dhe dëbimin nga territori i Egjiptit, sepse ajo mbështet aktivisht terrorin aktual të "vëllezërve myslimanë". Nëse amerikanët i vlerësojnë marrëdhëniet e tyre me Egjiptin, atëhere ata duhet të tërheqin ambasadoren e vet. Ne jemi kundër ndërhyrjes ndërkombëtare në çështjet e brendshme të Egjiptit. Ne do t’i zgjidhim vetë problemet tona dhe po vetë do të përcaktojmë fatin tonë.

- Si mund të ndalohen protestat e mbështetësve të Mohammed Mursi?

- Duhet të diferencohen veprat penale nga protestat paqësore. Ajo çfarë po ndodh tani pranë xhamisë Rabaa al-Adawiya (vendi i tubimit të mbështetësve të "Vëllazërisë Myslimane" në Kajro) nuk është kurrsesi protestë paqësore. Kjo është një vatër, celulë, ku fshihen shumë nga udhëheqësit e "Vëllezërisë Myslimane", të cilët janë shpallur persona të kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme për krime konkrete. Ata e përdorin këtë vend si bazë për përgatitjen e akteve terroriste, të cilat i shkaktojnë dëm Egjiptit, egjiptianëve, interesave kombëtare dhe sigurisë së vendit. Në këtë konfrontim ne jemi në anën e ushtrisë dhe policisë. Sidomos pas thirrjes së Sheikh-ut të famshëm Yusuf El-Kardavi drejtuar gjithë myslimanëve në botë për të vrarë ushtarakët egjiptianë. Nga ana jonë ne sigurojmë se ushtria po plotëson rolin e saj patriotik - ajo mbron Egjiptin dhe egjiptianët.

Rrugëzgjidhja e konfliktit aktual mund të jetë vetëm një - nëpërmjet ligjit. Duhet të arrestohen dhe të nxirren përpara gjyqit të gjithë ata që sulmojnë çdo entitet publik, ata që mbajnë armë pa patur të drejtë për këtë (pa leje). Ne këto kohët e fundit kemi dalë me iniciativën për të kontrolluar vendet e tubimeve: nëse ka atje armë apo jo. Le ta ndjekë këtë nismë komisioni i krijuar prej anëtarëve të gjyqësorit, Prokurorisë së Përgjithshëm, Ligës së Shteteve Arabe dhe figurave të njohura publike. Anëtarët e “Vëllazërisë Myslimane” e refuzojnë këtë gjë, çka dëshmon se ata kanë armë dhe se janë të etur për dhunë.

- Ju jeni takuar para pak kohësh me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, zonjën Catherine Ashton. A mund të na tregoni në lidhje me këtë takim?

- Ne nuk do të dëshironim që me Bashkimin Europian marrëdhëniet tona të ndërsjellta të evoluojnë në të njëjtën mënyrë si me amerikanët dhe ambasadoren e tyre në Egjipt. Populli egjiptian respekton ata që respektojnë vullnetin e tij. Qëndrimi i BE-së ndaj nesh nuk është plotësisht i kuptueshëm. Ai duhet të demonstrojë një pozicion të qartë ndaj Egjiptit dhe sulmeve terroriste që kërcënojnë vendin tonë.

Catherine Ashton erdhi për të sqaruar shkaqet e dhunës së vazhdueshme në vend dhe për t’u njohur me pozicionin e popullit egjiptian ndaj "Vëllazërisë Myslimane". Qëndrimi ynë është i tillë: ne dalim për gjykimin e të gjithë atyre që kanë kryer krime kundër popullit. Ne nuk do t’i lejojmë udhëheqësit e “Vëllazërisë Myslimane” që t’ua mbathin këmbëve nga vendi pa dalë fillimisht përpara gjyqit. Amerikanët janë fort të shqetësuar për fatin e Mursi dhe liderëve të “Vëllazërisë Myslimane” për të vetmin shkak, se "vëllezërit myslimanë" u shërbejnë atyre si instrument për zbatimin e projektit amerikan në rajon dhe në Egjipt. Por populli ynë i rrëzoi nga pushteti "vëllezërit myslimanë" dhe minoi planet e Obamës në Lindjen e Mesme.

- Cilat janë planet e Lëvizës suaj "Tamarrod" për të ardhmen?

- Tani ne duhet të mendojmë për një Kushtetutë të re për të gjithë egjiptianët, për Ligjin e ri themelor, i cili nuk do t’i diferencojë njerëzit përkatësisht gjinisë apo përkatësisë fetare (religjionit). Ne së shpejti do të lansojmë fushatën "Shkruani kushtetutën tuaj". Populli egjiptian do të marrë pjesë në përpilimin e Kushtetutës, e cila duhet të reflektojë qëllimet e Revolucionit të 30 qershorit. Ndërsa pas kësaj ne do të mendojmë në lidhje me zgjedhjet.