Testi i parë i armës bërthamore u zhvillua në Shtetet e Bashkuara. Në shtetin e Nju Meksiko në vitin 1945 detonuan një bombë, fuqia e shpërthimit të së cilës ishte ekuivalente me 20 kiloton TNT. Nuk kaloi as një muaj pas kësaj, kur aftësitë shkatërruese të armës së re iu demonstruan mbarë botës nga SHBA-ja në Hiroshima dhe Nagasaki. Pas katër viteve provat bërthamore filluan në Bashkimin Sovjetik, më tej në Britaninë e Madhe, Francë dhe Kina. Shpërthimi më i fuqishëm u krye nga Bashkimi Sovjetik në arkipelagun e Novaja Zemlja (Toka e Re) në Oqeanin e Ngrirë të Veriut në vitin 1961. Fuqia e "bombës-mbret" sovjetike, siç u quajt ajo në Perëndim, ishte 100 megaton. Shpërthimi, sipas llogaritjeve të shkencëtarëve, i ka tejkaluar dhjetë herë bombardimet totale të Luftës së Dytë Botërore, duke përfshirë edhe bombat atomike amerikane të hedhura në Japoni. Kërpudha gjigande bërthamore u ngrit në një lartësi prej 67 kilometrash, kurse vala e shpërthimit të saj e rrethoi tri herë rruzullin tokësor.

Eksperimente me armët bërthamore janë kryer në ajër, nën tokë dhe nën ujë. Në hapësirën kozmike, duke gjykuar nga njoftimet e shtypit, u detonuan katër mbushje bërthamore sovjetike dhe pesë amerikane. Mbi ndikimet mjedisore të kësaj gare të shfrenuar bërthamore mundet vetëm të hamendësohet. Pas protestave të shumta publike vendet e “pesëshes bërthamore” filluan të flasin seriozisht për ndalimin e provave. Dhe Traktati, i nënshkruar në Moskë në vitin 1963, shënoi fillimin e kontrollit mbi procesin e zhvillimit të armëve bërthamore, thotë analisti politik rus Vladimir Jevsejev:

- Traktati në fjalë ka një rëndësi të madhe, vlerë të pamohueshme. Rreziku i kontaminimit radioaktiv të tokës dhe ajrit u reduktua ndjeshëm. Pas kësaj testet bërthamore filluan të kenë karakter nëntokësor.

Ndërkohë Franca, e cila nuk e njohu Traktatin e Moskës, vazhdoi testimet në terren deri në vitin 1974, Kina - deri në vitin 1980. Në vitin 1996 u nënshkrua Traktati i ri Gjithëpërfshirës i Ndalimit të Testeve Bërthamore (CTBT). Në Rusi në atë kohë ato tashmë ishin pezulluar krejtësisht. India dhe Pakistani, që nuk i kanë nënshkruar të dy traktatet e sipërpërmendur, i kryen provat e veta bërthamore në vitin 1998. Koreja e Veriut provën e tretë të nëndheshme rresht të një pajisjeje bërthamore e ka kryer këtë vit. Aktualisht vendet e zhvilluara teknikisht nuk kanë më nevojë për prova bërthamore. Ato i zëvendësojnë tani me modelimet kompjuterike me saktësi të lartë. Tema e testimeve bërthamore vazhdon të mbetet mjaft aktuale për vendet, të cilat vetëm synojnë që të hyjnë në "klubin bërthamor" - për shembull për Korenë e Veriut.