Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, pavarësisht nga deklarata mbi zhgënjimin, natyrisht, janë duke u përpjekur në mënyrë mëse evidente për të minimizuar shkallën e tensionit. Aktivistët e të drejtave të njeriut besojnë se Snowden, më në fund, u ndodh në vend të sigurt, jashtë rrezikut tashmë.

Lajmi mbi dhënien Edward Snowden të strehimit të përkohshëm për 1 vit erdhi nga Rusia herët në mëngjes, dhe, me sa duket nga të gjitha, ky mesazh u bë një surprizë tejet e pakëndshme për administratën e SHBA-së.

Megjithatë, komentet e para nuk pasuan nga Shtëpia e Bardhë, por nga anëtarët e parlamentit. Autor i deklaratave më thumbuese e plot vrer u bë kundërshtari i hershëm i Rusisë John McCain. Ai u shpreh se vendimi për dhënien e azilit të përkohshëm Snowden është "një shuplakë fytyrës për të gjithë amerikanët".

Përfaqësuesit zyrtarë të Administratës amerikane u treguan më të përmbajtur në deklaratat e tyre. Shtëpia e Bardhë me gojën e Sekretarit të vet të shtypit Jay Carney shprehu zhgënjim nga një zhvillim i tillë i ngjarjeve. U deklarua për "rishikimin e fizibilitetit" të negociatave të Barack Obama dhe Vladimir Putin në shtator. Në të njëjtën kohë, Sekretari i shtypit theksoi se refuzimi i rezultateve pozitive të politikës së riformatimit të marrëdhënieve mes dy vendeve për shkak të Snowden do të ishte një hap i gabuar.

- Natyrisht, ky është një zhvillim negativ i situatës. Dhe ne tani jemi duke shqyrtuar arsyeshmërinë e takimit në Moskë. Por është absolutisht e qartë se politika e riformatimit të marrëdhënieve tona me Rusinë ka sjellë rezultate pozitive për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe për vetë qytetarët amerikanë.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Marie Harf, përsëriti tezën rreth zhgënjimit. Por në të njëjtën kohë ajo theksoi se SHBA-ja do të donte të shmangte përkeqësimin e marrëdhënieve me Rusinë. Ja se çfarë deklaroi tekstualisht Marie Harf:

- Ne kemi shumë fusha në të cilat bashkëpunojmë mjaft ngushtë me Rusinë. Këto janë: Afganistani, sanksionet kundër Iranit, reduktimi i arsenaleve bërthamore. Ne jemi të mendimit se rasti i Edward Snowden duhet të trajtohet veças nga çështjet e tjera. Ne nuk duam që kjo çështje të ushtrojë një ndikim negativ në marrëdhëniet tona në përgjithësi.

Aktivistët amerikanë të të drejtave të njeriut, ndryshe nga politikanët dhe burokratët në Uashington, janë të kënaqur me zhvillimin e situatës. Siç deklaroi në një intervistë me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" Këshilltarja e përgjithshme juridike e Organizatës së të drejtave të njeriut Human Rights Watch, Dajna Pokempner (Dinah Pokempner, general counsel at Human Rights Watch), ish-oficeri i CIA-s ka bërë një gjest mjaft të guximshëm dhe amerikanët duhet t’i jenë mirënjohës atij:

- Informacioni i klasifikuar, që u bë publik prej tij, ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe për shoqërinë. Ai ekspozoi programet e survejimit në shkallë të gjerë të shërbimeve të inteligjencës, të cilat pa arsye ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme në jetën private të miliona njerëzve në mbarë botën. Snowden provokoi gjithashtu shpërthimin e debateve të papara në vetë Shtetet e Bashkuara. Tani atje po përgatiten dhjetra amendamente në ligjet për monitorimin e qytetarëve.

Vlen të përmendet se Presidenti amerikan ka refuzuar të komentojë situatën me Snowden. Gazetarët u përpoq t’i drejtojnë Udhëheqësit të Shteteve të Bashkuara pyetjen në lidhje me këtë temë pas bisedimeve të tij me Presidentin e Jemenit, por përgjigje nuk morrën.