- Ministria e Jashtme e Rusisë përshëndeti rifillimin e negociatave mes izraelitëve dhe palestinezëve, por ekspertët kanë mbetur të habitur nga fakti se negociatat do të zhvillohen vetëm me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara. Po Kuarteti i ndërmjetësuesve, i cili përfshin Rusinë, BE dhe OKB, çfarë roli do të ketë në këtë proces?

- Sigurisht, ky fakt mund të shkaktojë shqetësim. Por, në çdo rast, nuk janë bërë shkas palestinezët për këtë zgjedhje. Vetë anëtarët e kuartetit janë përgjegjës për këtë gjë. Të gjithë e kanë vënë re tashmë se sa aktiv po tregohet Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry. Ndërmjetësit e tjerë gjithashtu mund të ndërmerrnin ndofarë hapash. Megjithatë, për fat të keq, të gjithë kanë parë vetëm këto përpjekje të Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry.

Ndërsa amerikanët, kur përpjekjet e tyre u kurorëzuan me një rezultat pozitiv, e morën menjëherë këtë proces nën kontrollin e vet. Në të vërtetë lind pyetja: Mos e minon vallë kjo rolin e Kuartetit? Por SHBA-ja është një nga anëtaret e Kuartetit, kështu që në të ardhmen ajo mund të ingranojë edhe të tjerët.

Nuk përjashtohet që përfshirja e anëtarëve të tjerë të Kuartetit të jetë gjithashtu e nevojshme. Është diskutuar tashmë edhe roli që mund të luajë përfaqësuesi special i Kuartetit Tony Blair në zgjidhjen e problemeve ekonomike, që lidhen veçanërisht me ndihmën për Palestinën.

- Nga kjo rezulton se Kuartetit do t’i bjerë të merret me ekonominë?

- Unë mendoj se Kuarteti nuk duhet të kufizohet vetëm me tematikën ekonomike. Ai duhet të merret me të gjitha çështjet: me kufijtë, me sigurinë, me statusin e Jeruzalemit, me kolonitë herbaike, çështjet e refugjatëve palestinezë si dhe shpërndarjen e burimeve ujore.

- Po nga Rusia ju konkretisht prisni ndofarë hapash?

- Ne i vlerësojmë, si minimum, shumë të rëndësishme marrëdhëniet me Rusinë. Ne i kemi informuar gjithmonë autoritetet ruse mbi ecurinë e negociatave. Ne do të donim të zhvillonim edhe më tej marrëdhëniet tona dhe besojmë se është e rëndësishme që Rusia të jetë medoemos në dijeni për gjithçka që po ndodh në procesin negociator. Nga ana e vet udhëheqja ruse do të donte, me sa kuptojmë ne, të caktonte përfaqësuesit e vet të veçantë, të cilët do të monitoronin avancimin e këtij procesi.

- Takimet e para midis delegacioneve izraelit dhe palestinez u mbajtën në Uashington. Po kur dhe ku do të zhvillohet raundi i ardhshëm i bisedimeve?

- Këto të tanishmet ishin vetëm takime dhe jo ​​negocim. Në takimet në fjalë ne kemi diskutuar se në ç’mënyrë dhe kur do të zhvillohen bisedimet, sipas cilës skemë dhe cili do të jetë roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në to. U vendos që negociatat të fillojnë pas përfundimit të muajit të agjërimit mysliman të Ramazanit. Menjëherë mbas agjërimit do të pasojnë disa ditë festive pushimi - ato do të zgjasin deri më 11 gusht. Kështu që negociatat do të fillojnë pas 11 gushtit.

- A është e vërtetë se vëmendja kryesore në to do t'i kushtohet çështjes së kufijve të ardhshëm të Palestinës?

- Në bisedimet e pritshme do të shqyrtohen të gjitha çështjet e diskutueshme. Ne ramë dakord që në fazën e parë të tyre të përqëndrohemi në problemin e kufijve dhe atë të sigurisë. Por kufijtë e Palestinës nuk mund të përcaktohen pa një diskutim paraprak të problemeve të Jeruzalemit dhe kolonive hebreje!

- Po si i bëhet hallit me pozitën e Lëvizjes “Hamas”, e cila tradicionalisht tregohet shumë mosbesuese ndaj negociatave të tilla?

- "Hamas" e ka shprehur tashmë qëndrimin e vet ndaj rifillimit të negociatave dhe ne e respektojmë pozicionin e kësaj Lëvizjeje. Megjithatë, Presidenti palestinez Mahmoud Abbas gëzon të gjitha plotfuqishmëritë për të zhvilluar këto negociata në emër të popullit palestinez. Në lidhje me këtë pikë ekziston një marrëveshje parimore me Khaled Mashaal, Kreun e Byrosë politike të Lëvizjes “Hamas”. Por me kusht, që çdo marrëveshje, që mund të arrihet në negociatat me izraelitët, të vihet në referendum mbarëpopullor në Palestinë. Ne synojmë t’i përmbahemi rreptësisht kësaj marrëveshjeje.

- Kanë hequr dorë vallë palestinezët nga qëllimi për të arritur anëtarësimin e plotë në OKB?

- Ne po bëjmë një punë të vazhdueshme dhe mjaft aktive me qëllim që shteti i Palestinës të pranohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.