- Më lejoni t'ju drejtoj disa pyetje, ndaj të cilave shfaq interes të gjallë auditori ynë. Populli serb është duke bërë çdo gjë të mundshme për të mbajtur Kosovën dhe Metohinë, pavarësisht synimit të shteteve perëndimore për t’i ndarë këto territore nga përbërja e Serbisë dhe për të formuar atje një shtet të dytë shqiptar. Cili është pozicioni i Rusisë në lidhje me këtë çështje?

- Pozicioni i Rusisë përkatësisht zgjidhjes së çështjes së Kosovës mbetet i pandryshuar. Moska vendosmërisht dhe në mënyrë konsistente del në mbrojtje të parimeve themelore të të drejtës ndërkombëtare, respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve brenda kufijve të tyre të njohur ndërkombëtarisht. Besnikëria e Moskës dhe Beogradit ndaj këtyre parimeve është theksuar në Deklaratën mbi partneritetin strategjik, e cila u nënshkrua nga presidentët e Rusisë dhe Serbisë më 24 maj të këtij viti.

Përvoja e historisë botërore, dhe sidomos ajo e historisë së Ballkanit të dekadave të fundit, dëshmon mbi rrezikshmërinë e përpjekjeve për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme kufijtë shtetërorë. Dokument ligjor ndërkombëtar kyç për rregullimin e problemit të Kosovës është Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rusia e mbështet vazhdimisht Serbinë, e cila është një vend mik për të, në çështjen e ruajtjes së integritetit të saj territorial. Pozicione të ngjashme zënë dhe shumë shtete të tjera, përfshirë këtu edhe disa anëtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Në konfirmimin e pozicionit tonë ne nisemi nga logjika e thjeshtë: më mirë se kushdo tjetër interesat e tyre kombëtare mund t’i përcaktojnë, t’i identifikojnë vetë serbët. Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian Beogradi po zhvillon me Prishtinën negociatat në nivel politik për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Për ne do të jetë i pranueshëm çdo vendim, për të cilin ata do të bien dakord me njëri-tjetrin.

- Rusia dhe Kisha Orthodhokse Ruse nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe Metohisë. Gjatë vizitës së tij zyrtare në Rusi Kreu i Kishës Orthodhokse Serbe, Patriarku Irenej (Irenaeus), kërkoi ndihmën e Patriarkanës së Moskës në ruajtjen e Orthodhoksisë në këtë territor. A mendoni Ju se pjesëmarrja e Patriarkanës së Moskës mund të jetë e rëndësishme, me peshë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës?

- Është vështirë të mbivlerësohet kontributi i Kishës Orthodhokse Ruse dhe Kishës Orthodhokse Serbe në çështjen e forcimit të lidhjeve shumëshekullore të vendeve tona. Vetëkuptohet se në këtë kohë të vështirë, që po përjeton Orthodhoksia serbe në krahinën e Kosovës dhe Metohisë, Kisha Orthodhokse Ruse nuk mund të mbetet indiferente ndaj vuajtjeve të bashkëfetarëve të vet. Por se në ç’mënyrë konkretisht Patriarkana e Moskës ka ndërmend të bashkëveprojë me Orthodhoksinë serbe, ndër të tjera edhe në Kosovë e Metohi, do të ishte më mirë të flitej me ndonjë përfaqësues të Kishës.

- Problemi i Kosovës është i lidhur jo vetëm me shkatërrimin e shenjtëroreve orthodhokse serbe, duke përfshirë edhe objektet e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s, por dhe me grupet e separatistëve shqiptarë dhe trafikimin e paligjshëm të armëve e drogës, për çfarë, meqë ra fjala, shkruan shpesh "Zëri i Rusisë". A kanë vallë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-ja dhe Federata Ruse ndonjë "hartë rrugore" të drejtuar për daljen nga qorrsokaku kosovar?

- Me të vërtetë, ajo çfarë po ndodh në pjesën e rajonit të kontrolluar nga Prishtina - që nga shkatërrimi i trashëgimisë kulturore të të gjithë njerëzimit, dhe jo vetëm të shenjtëroreve orthodhokse, e deri tek krimet penale të shkallës ndërkombëtare - është një kërcënim i drejtpërdrejtë për vendet fqinje, për mbarë Evropën. Për kundërvënien ndaj manifestimeve të tilla duhet të jenë të preokupuar të gjithë lojtarët e mëdhenj, seriozë në arenën ndërkombëtare. Ne qëndrojmë pikërisht për një qasje të tillë të koordinuar të Rusisë, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, mbajmë konsultime të rregullta mbi problematikën e Ballkanit me kolegët tanë nga ministritë e jashtme të vendeve perëndimore.

Përsa i përket "hartë rrugore" duhet thënë se Qeveria e Serbisë dhe autoritetet e Prishtinës kanë zgjedhur rrugën e negociatave me ndihmën dhe ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Kosova ligjërisht është pjesë e territorit të Serbisë dhe Qeveria serbe ka të drejtë të vendosë vetë se si të veprojë me të.

- Cili është roli i mediave perëndimore në kërkimin e zgjidhjeve optimale të problemeve të Kosovës? Sepse është e njohur tashmë fort mirë se përpunimi i opinionit publik në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, akuzimi i Serbisë për të gjitha mëkatet e mundshme në prag të sulmit të NATO-s mbi Beogradin, ishin absolutisht të paprecedentë.

- Përgjegjësia e mediave në çështje të tilla të ndjeshme, nevralgjike si "pikat e nxehta", tensionet ndëretnike, natyrisht, është jashtëzakonisht e lartë. Është krejtësisht i palejueshëm zëvendësimi i tabllosë objektive të asaj çka po ndodh me skemën, në të cilën vende dhe popujt të tërë ndahen apriori qëllimisht në të mirë dhe të këqinj. Shembull i një qasje të balancuar në ndriçimin e temave janë media të tilla si, të themi, "Zëri i Rusisë" dhe Kanali televiziv “Russia Today”, i cili po fiton me shpejtësi popullaritet në radhët e auditorit ndërkombëtar.

- Kryetari i Radiokompanisë "Zëri i Rusisë" Andrei Bistrickij pak kohë më parë propozoi krijimin e një portali të përbashkët ballkanik në Internet për të avancuar qëndrimet e politikanëve dhe ekspertëve në lidhje me problemet e këtij rajoni mjaft kompleks. Sipas mendimit tuaj, për çfarë do të jetë e dobishme një platformë e tillë?

- Para së gjithash, ajo do të mundësojë drejtimin e pasioneve që shpërthejnë ndonjëherë në Ballkan në një rrjedhë më të qetë dhe reciprokisht të respektueshme të diskutimeve të ekspertëve. Është e domosdoshme dhe e arsyeshme të përfshihen në analizën e problemeve rajonale specialistët për çështjet e Ballkanit. Shpresoj se ju do të arrini ta bëni këtë. Ju uroj suksese në punën tuaj!