Çlirimin e qytetit nga forcat kryengritëse autoritetet zyrtare e konsiderojnë si një pikë kthese në luftën e përgjakshme civile, e cila po vazhdon tashmë që prej 2 vjetësh në këtë vend. Megjithatë, ekspertët janë të prirur ta vlerësojnë këtë fitore në mënyrë shumë më të përmbajtur.

Forcat qeveritare po vazhdojnë të dëbojnë nga territoret e zaptuara rebelët sirianë. Një kapitull i radhës në serinë e fitoreve të fundit të korrura prej tyre u bë suksesi i arritur në qytetin e Homs. Ai është qyteti i tretë më i madh në Siri. Dhe tani, siç raportojnë luftëtarët e Bashar Al-Assad, ai është marrë pothuajse tërësisht prej tyre nën kontroll. Ndërsa plotësisht prej kryengritësve Homs do të pastrohet brenda 2-3 ditëve. Ndërkaq, siç deklarojnë autoritetet zyrtare siriane, fitorja në Homs do të bëhet një pikë kthese që do të ndikojë në gjithë ecurinë e konfrontimit të mëtejshëm me rebelët. Situatën e krijuar tani në Siri e komenton eksperti rus për Lindjen e Mesme Georgi Mirskij:

- Homs është një qytet me të vërtetë shumë i rëndësishëm. Gjatë dy viteve trupat qeveritare nuk mundën ta marrin dot atë në kontroll. Kjo, në përgjithësi, është një gjë krejtësisht unike! Për dy vjet një ushtri e tërë e fortë, e armatosur gjer në dhëmbë, nuk mundi ta marrë dot këtë qytet, të cilin, sipas shprehjes së Presidentit Bashar Al-Assad, e mbante të zaptuar një grusht banditësh dhe terroristësh.

Sipas mendimit të ekspertit Georgi Mirskij, suksesi i arritur në Homs, po ashtu si dhe të gjitha sukseset e fundit të trupave qeveritare, janë të kushtëzuara nga përfshirja e militantëve të Lëvizjes "Hezbollah" në konfliktin sirian. Lufta në Siri po vjen duke marrë gjithnjë e më shumë tipare fetare. Me fjalë të tjera, ajo po shndërrohet në një konfrontim të armatosur mes sunive dhe shiitëve. Në këtë situatë Lëvizja libaneze "Hezbollah", e përbërë nga militantë shiitë, e quajti si obligimin e saj të mbështesë bashkëfetarin e vet Bashar Al-Assad.

Megjithatë është ende e parakohshme të pretendohet se fitorja e forcave të Bashar Al-Assad është tashmë një çështje e zgjidhur përfundimisht. Tani për tani opozita siriane është mbështetur aktivisht vetëm nga monarkitë sunite të Gjirit Persik. Por shumë shpejt, megjithatë, atyre mund t’i vijë ndihmë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vërtetë në këtë rast ekziston një “por”. Amerikanët me plot të drejtë druhen se armët, që ata janë të gatshëm për t’ia vënë në dispozicion kryengritësve sirianë, mund të bien jo në duart e opozitës së moderuar por në ato të ekstremistëve islamikë. Sidomos duke pasur parasysh faktin se pikërisht radikalët e "Dzhabhat en-Nusra", dhe jo përfaqësuesit e Ushtrisë së Lirë Siriane, komandojnë aktualisht në kampin e opozitës. Puna arriti deri në atë pikë, saqë armiqtë e djeshme të Assad-it sot po dorëzojnë armët, duke arsyetuar se është shumë më mirë megjithatë që vendin ta drejtojë Bashar Al-Assad se sa pjellat e këqija, përbindëshat e strukturave të lidhura me "Al-Qaeda-n". Kjo mund ta detyrojë SHBA-në që të heqë dorë nga ideja e furnizimit në Siri të sistemeve portative të mbrojtjes kundërajrore për opozitën siriane. Përveç kësaj, amerikanët janë mësuar të mbështesin gjithmonë fitimtarët - nëqoftëse forcat e Assadit do të vazhdojnë të zmbrapsin kryengritësit, atëhere SHBA-ja nuk do të përfshihet kurrsesi në vorbullën e luftës “de facto” të humbur.