Njerëzit veçanërisht konservatorë argumentonin se prej atyre personave, që nuk pëlqejnë leximin dhe nuk dëshirojnë të merren fare me këtë punë, nuk mund të rriten kurrsesi njerëz të mirë.

A është e vërtetë kjo? Mos vallë njeriu që "lexon" është komponenti më i mirë i shoqërisë? Dhe nëse është i dobishëm leximi apo ai i sjell dëm njeriut?

Për shëndetin e njeriut leximi i tepruar është në mënyrë të padiskutueshme i dëmshëm, thonë "urryesit e librave". Së pari, shumica e adhuruesve të librave kanë probleme me shikimin për shkak të leximit në ambjente me ndriçim të dobët, në shtrat, në metro, në autobus. Së dyti, tek shumë prej tyre është vërejtur deformimi i shtyllës kurrizore, i cili sjell si pasojë dhimbjet në shpinë, radikulitet, skoliozat si dhe një sërë patologjish të tjera të pakëndshme. Së treti, "përpirësit e librave" bëjnë një jetë sedentare dhe për këtë arsye vuajnë shpesh nga obeziteti (mbipesha). Përveç kësaj, midis personave shumë të dhënë pas leximit janë mjaft të përhapura sëmundje të tilla të zakonshme si dhimbjet e kokës, distonia (dystonia) vegjetative-vaskulare, çrregullimet nervore. Edhe imuniteti i këtyre njerëzve është disa herë më i dobët se i "urryesve të leximit”, sepse “krimbat e librave” ("bookworms") shumicën e kohës e kalojnë në ambjente të mbyllura dhe shëtisin fare pak në ajër të pastër.

Po çfarë mendojnë në lidhje me këtë temë shkencëtarët? Ekspertët e Institutit Kombëtar Francez për Shëndetësi dhe Hulumtime Mjekësore (frengj. Institut National de la Santé et de la Recherche Médicale) arritën në përfundimin se leximi, si një fenomen relativisht i vonë në jetën e njeriut, e detyron trurin t’i nënshtrojë atij ato zona që përgjigjen për shprehi të tjera.

Autorët e eksperimentit mblodhën një grup prej 63 portugezësh dhe brazilianësh, 11 prej të cilëve nuk dinin të lexonin fare, 22 kishin mësuar ta bënin këtë në moshë të rritur, ndërsa të tjerët në fëmijëri, kur shkonin në shkollë. Gjatë zhvillimit të eksperimentit shkencëtarët qëllimisht nuk kanë punuar me “studentët e arsimuar fort mirë në universitete", të cilët zakonisht janë vullnetarë në hulumtimet shkencore në fushën e neurologjisë. Si rezultat, doli se aftësia për të lexuar zhvillohet në dëm (në kurriz) të aftësisë për të perceptuar fytyrat njerëzore.

Një grup tjetër shkencëtarësh ka zbuluar se intelekti, që është aftësia e përgjithshme për të njohur, mësuar dhe për të zgjidhur problemet që lindin, dhe numri i librave të lexuar nuk kanë asnjë lidhje midis tyre. Domethënë, ju mund të lexoni shumë, por njohuritë nga kjo nuk ju shtohen. Gjatë leximit të këndshëm, mjaft tërheqës, të pa rënduar nga përzgjedhja (analiza) analitike e materialit të lexueshëm, intelekti mbetet inaktiv dhe, si rrjedhojë, nuk zhvillohet. Për të mbajtur mendjen në gjendje punë njeriu duhet jo dhe aq të lexojë, sesa të zgjidhë detyra të ndryshme analitike, duke përfshirë edhe rebuset. Konkluzioni i nxjerrë është ky: mund të jesh një njeri shumë i lëçitur, por krejtësisht i papërshtatshëm për jetën.

Mos harroni se leximi është një nga mënyrat më të mira për marrjen e informacionit, por se si duhet përdoruar ai, kjo varet tërësisht nga ju. Mbi atë, se si të lexoni me dobi për veten dhe për shëndetin tuaj, do të flasim në artikullin e ardhshëm.