Për studimin e mundësive gjeo-inxhinierike CIA ka caktuar 630.000 dollarë. Me këto të holla shkencëtarët për 21 muaj duhet të hulumtojnë mundësitë e ndikimit të njeriut në kushtet e motit. Gjatë kësaj, përpara shkencëtarëve u shtrua detyra për të sqaruar se çfarë rreziqesh kërcënuese mund të përbëjë gjeo-inxhinieria për sigurinë kombëtare.

I marrë në vetvete ky studim mund të duket krejtësisht i parrezikshëm. Por financimi i tij nga arka e CIA-s dha shkas për të besuar se në të vërtetë amerikanët llogarisin të zhvillojnë armën klimatike. Situatën e krijuar e komenton eksperti ushtarak rus Aleksandër Sharavin:

- Me zhvillimin e armës klimatike janë angazhuar tashmë që prej kohësh të gjitha shtetet kryesore të botës, ndoshta mbi 50 vjet më parë. Dikush ka avancuar më shumë në këtë drejtim, dikush më pak. Rastet e ndikimit të jashtëm mbi klimën janë të njohura për të gjithë ne. Gjëja më e vështirë në këtë fushë është parashikimi se cili do të jetë rezultati. Prandaj, për mendimin tim, nuk mund të quhet armë, në kuptimin e plotë të fjalës, ajo që po bëhet tani në këtë fushë.

Megjithatë, shumë janë të prirur të besojnë se amerikanët janë plotësisht të aftë për t’i shkaktur "dëm klimatik" armiqve të tyre. Kështu, në shtator të vitit të kaluar Presidenti iranian Mahmoud Ahmadinexhad deklaroi se armiqtë po ndjellin dhe shkaktojnë thatësirën në Republikën Islamike.

Ndërsa në Rusi fajin për vapën anomale në kohën e vet ia ngarkuan stacionit amerikan HAARP, kujton Drejtor i Qendrës së programeve klimatike të Fondit Botëror për ruajtjen e Natyrës së Egës (WWF) Aleksei Kokorin:

- Është fort mirë i njohur stacioni HAARP në Alaskë. Dhe kur Moska u përfshi nga fronti i vapës së tmerrshme, madje drastike mund të thuhet, në korrik të vitit 2010, nisën të qarkullojnë zëra - "mos është vallë kjo punë e zezë e këtij stacioni?" Në parim, një stacion i tillë është i aftë të shpojë vrimë në retë e qiellit madje dhe në një distancë shumë të madhe. Tjetër gjë është ajo se gjatë vapës së tmerrshme në Moskë në atë kohë nuk është fiksuar ndonjë gjë e tillë.

Stacioni HAARP nuk mund të quhet një projekt unik. Stacione analogjike funksionojnë edhe në vende të tjera. Përfshirë dhe në vetë Rusi, në rajonin e Nizhni Novgorod-it. Dallimi i vetëm midis tyre është se shumica e të dhënave të përftuara nga HAARP i janë nënshtruar klasifikimit, ndërsa në vetë këtë projekt kanë vënë dorë Forcat Ushtarake Detare amerikane. Ndoshta pikërisht ky fakt dhe ka kontribuar në demonizimin e imazhit të stacionit HAARP. Sido që të jetë në të vërtetë, stacioni në fjalë u mbyll kohët e fundit. Për financimin e mëtejshëm të punës së tij në buxhet nuk u gjetën fonde.