Ja se çfarë njofton mbi vizitën e Papa Françeskut në Brazil korrespondenti i "Zërit të Rusisë" Aleksandër Krasnov.

Papa Françesku përdori sërish në Rio Papamobilin e vet të famshëm. Këtë herë ai shkoi në njërën prej të ashtuquajturave Favelas - lagjen më të varfër të qytetit, ku u takua me banorët lokalë. Duhet thënë se kjo ngjarje pritej. Nuk e kanë quajtur më kot Françeskun "Papa i të varfërve". Ai është shprehur në mënyrë të përsëritur se Kisha duhet t'a kthejë vështrimin e vet nga njerëzit në nevojë dhe t’i kushtojë vëmendje problemeve të tyre. Një nga postulatet e tij tingëllon kështu - "Kisha e varfër për njerëzit e vobektë". Ndërsa pas kësaj Papa u nis sërish drejt plazhit të Copacabana në Rio de Janeiro, ku, pavarësisht motit të keq, ishte mbledhur një numër shumë i madh njerëzish. I gjithë problemi konsiston në faktin se gjithë këto ditë në Rio po mban një mot rekord i ftohtë për klimën lokale. Nga mëngjesi deri në mbrëmje vazhdon të bjerë shi papushim dhe moti është mjaft i freskët për klimën tropikale - rreth 15 gradë. Madje dhe Presidentja braziliane Dilma Rousseff njoftoi sot se ka marrë një ftohur dhe për këtë arsye u detyrua të anulojë të gjitha aktivitetet e planifikuara. Moti ka bërë korrektimet e veta edhe në programin e vizitës së Papës së Romës në Rio. Pjesëmarrja, të themi kulminante, e tij në Ditën Botërore të Rinisë ishte planifikuar për në fund të kësaj jave në një nga periferitë e qytetit. Por reshjet e rrëmbyeshme e të vazhdueshme të shiut e shndërruan fushën, ku parashikohej të zhvillohej ky eveniment, në një pellg balte. Dhe sot organizatorët u detyruan të njoftojnë se aktiviteti në fjalë është transferuar në plazhin Copacabana. Kështu pra, në ditët e mbetura para përfundimit të javës të gjitha aktivitetet me pjesëmarrjen e Papës së Romës do të mbahen në këtë plazh të famshëm të Rio de Janeiro.