Nëse Shërbimi Federal i Migrimit (FMS) i Rusisë do t’ia refuzojë megjithatë përfundimisht dhënien e azilit politik Snowden, ai do ta apelojë vendimin e tij në gjykatë. Ndërkohë, ish-bashkëpunëtori i zbulimit amerikan po mëson gjuhën ruse dhe po mendon për gjetjen e ndonjë pune në Rusi.

Të ndërtojë planet për të ardhmen - kjo është e vetmja gjë që i mbetet tani Edward Snowden. Të mërkurën (më 24 korrik) mbaroi afati i përcaktuar minimal në procedurën e shqyrtimit të kërkesës së tij për marrjen e azilit politik: 5 ditë plus një fundjavë. Madje dhe në mungesë të vendimit nga ana e FMS-së, Snowden të mërkurën mund të merrte vërtetimin, i cili do t’i lejonte atij të largohej nga zona tranzit të aeroportit, ku i arratisuri (kërkuari) ka jetuar për më shumë se një muaj. Shfaqjen e amerikanit në dalje të aeroportit po e prisnin me padurim të madh mbi njëqind gazetarë.

Rreth orës 17.30 tek vendi ku ishin grumbulluar gazetarët erdhi avokati Anatoli Kuçerena pa Snowden. Ai njoftoi se ish-bashkëpunëtorit të zbulimit amerikan nuk i kanë refuzuar asgjë, por tani për tani ai do të mbetet në zonën e tranzitit të aeroportit. Arsyeja e shtyrjes së shqyrtimit të kërkesës së Snowden për azil politik, duhet thënë, është mëse e justifikueshme - situata me Edward Snowden nuk paraqitet aspak standarde dhe për zgjidhjen e saj kërkohet kohë:

- Kërkesa e tij është ende në FMS. Shërbimi Federal i Migrimit ka të drejtë ta shqyrtojë, në fakt, këtë kërkesë brenda tre muajve. Një situatë e tillë është krijuar për herë të parë në Rusi dhe për zgjidhjen e kësaj çështjeje, natyrisht, do të duhet kohë, ndër të tjera edhe për oficerët e shërbimit të migracionit. Për periudhën e shqyrtimit të kërkesës Snowden i dorëzohet një vërtetim, i cili konfirmon se dokumentet e tij janë pranuar nga FMS-ja. Dhe një shkresë e tillë mund të lëshohet në çdo moment.

Por, se kur do ta marrë saktësisht Snowden këtë vërtetim, avokati Anatoli Kuçerena refuzoi të parashikojë. Megjithatë, edhe në qoftë se FMS-ja do të marrë, si përfundim, një vendim negativ në lidhje me këtë çështje, Snowden, sipas fjalëve të Kuçerena, ka planin rezervë "B":

- Ne tashmë e kemi diskutuar me të opsionin se si do të veprojmë në këtë rast. Në qoftë se ne do të marrin nga FMS-ja refuzim zyrtar, atëherë do të mund të drejtohemi në gjykatë dhe ta apelojmë këtë vendim negativ. Në këtë rast ai do të jetë në regjim pritjeje. Për atë është tejet e rëndësishme të marrë sa më shpejt që të jetë e mundur një përgjigje.

Ndër planet e tjera të Snowden janë të gjejë ndonjë punë në Rusi dhe "të rregullojë në ndonjëfarë mënyre jetën e vet". Dhe gjatë kësaj "mundësish të udhëtojë". Por, nëse synon ai të përdorë në të ardhmen e afërt shërbimet e linjave ajrore apo këto do të jenë mjete të tjera transporti - ish-agjenti i CIA-s tani për tani nuk preferon të saktësojë.