Nëse mamuthët në zonën e ngricës së përjetshme të Rusisë zbulohen vazhdimisht me rregullsi të habitshme, rinoceronti Merck është një gjetje mjaft e rrallë, sidomos për Uralet. Më shpesh këto kafshë të fosilizuara i gjejnë në jug të Evropës Perëndimore. Atje është klima më e përshtatshme për rinocerontët - gjallesa këto me gjak të ngrohtë. Vërtetë, në muajt e nxehtë ata migronin në Lindje dhe arrinin deri në Siberinë jugore, çka dëshmohet nga disa zbulime të rralla, tregoi për Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" udhëheqësi i ekspeditës, paleoekologu rus Pavell Kosincev:

- Vërtetë janë zbuluar mbetje të fosilizuara të rinocerontit Merck në Siberinë jugore, por pjesa më e madhe e tyre është gjetur diku në brigjet e lumit, jo në vendin fillestar të varrimit. Kështu që ishte e vështirë të siguroheshin ndofarë të dhënash mbi biologjinë e tij. Kurse këtu, në Urale, ne kemi gjetur për herë të parë eshtrat e tij brenda një shtrese konkrete së bashku me mbetjet e kafshëve të tjera, çka na lejoi të rikonstruktojmë ambientin rrethues të kësaj specie dhe, rrjedhimisht, të kuptojmë në mënyrë më të plotë biologjinë e saj dhe të përcaktojmë shkakun e zhdukjes.

Mosha e përafërt e mbetjeve të gjetura është rreth 120.000 vjet. Dhe kjo i detyron ekspertët të sugjerojnë se klima e Uraleve ishte ndryshe nga ajo e tanishme. Rëndësia e gjetjeve konsiston në faktin se u krijua mundësia për të rikonstruktuar mjedisin natyror në periudhën e fundit interglaciale, shpjegon studiuesi:

- Ne tani jetojmë në periudhën e radhës interglaciale. Ndërsa ajo paraardhëse daton rreth 120.000-130.000 vjet më parë. Pikërisht kësaj periudhe dhe i përket jetesa e rinocerontit Merck në Urale. Kjo kafshë gjitare me gjak të ngrohtë, kur moti u ngroh shumë, migroi nga jugu në këto rajone veriore. Zbulimi i mbetjeve të saj të fosilizuara sugjeron se klima në atë periudhë ishte më e ngrohtë se sa ajo bashkëkohore.

Rinocerontët Merck kanë jetuar në zona të pyllëzuara, duke preferuar shkurret dhe barin e lartë. Këto ishin kafshë të vetmuara me përmasa trupore 1.5 metra të larta dhe mbi 3 metra të gjata. Ekziston një teori se ndryshimi i klimës dhe i vegjetacionit u bë shkak për zhdukjen e tyre. Duke qenë e detyruar të zhvendoset gradualisht në jug të Evropës për shkak të ngrirjes së territoreve veriore, kafsha për një kohë të gjatë ka jetuar në zonat stepore, të ngjashme me preritë bashkëkohore amerikane. Besohet se të fundit prej këtyre rinocerontëve (Merck) kanë jetuar në territorin e Italisë bashkëkohore tashmë në periudhën e ekzistencës së njeriut paleolitik. Mosha e mbetjeve të rinocerontëve italianë Merck është rreth 200.000 vjet. Megjithatë, zbulimi i shkencëtarëve rusë në Urale dëshmon se këto kafshë kanë jetuar edhe më vonë - gati 120.000 vjet më parë.