Trazirat, që zgjatën gjatë gjithë fundjavës së kaluar në qytetin e Trappes në periferitë e Parisit, filluan të enjten e kaluar, kur policia ndaloi në rrugë një grua fytyra e të cilës ishte e mbuluar me ferexhe. Sipas ligjit francez, dalja me një veshje të tillë në vendet publike është e ndaluar rreptësisht. Por kërkesa e oficerëve të policisë drejtuar myslimanes për të hequr ferexhenë fillimisht evoluoi në një zënkë verbale, kurse më pas dhe në përleshje të vërtetë me burrin e gruas myslimane. Si përfundim, ai u arrestua për tentativën që ndërmorri për të mbytur ruajtësin e rendit. Gjatë kësaj i ndaluari pretendoi se policët u treguan të vrazhdë me çiftin dhe i lejuan vetes shprehje raciste në adresë të tyre. Me shumë gjasa, këto akuza nuk janë krejtësisht të pabaza, thotë shkrimtarja dhe gazetarja Myriam François-Serra:

- Për fat të keq, në kohët e fundit policia është akuzuar shpesh për qëndrim të vrazhdë, sjellje brutale ndaj të rinjve të ardhur nga Afrika e Veriut. Incidenti në fjalë përshtatet mjaft mirë me këtë model sjelljeje, sepse minoriteti në Francë përballet shpesh me manifestime racizmi nga ana e policisë. Dhe, ç’është për të ardhur keq, këto raste as që hetohen fare.

Ditën tjetër pas incidentit pranë stacionit të policisë erdhën disa dhjetëra të rinj. Ata kërkuan lirimin e myslimanit të marrë nën arrest. Mbas disa orësh numri i tyre u rrit tashmë deri në 400 vetë, gjë pas së cilës dhe shpërthyen trazirat. Si rezultat, katër policë u plagosën dhe gjashtë protestues u arrestuan.

Incidenti i sipërpërmendur u bë edhe një kapitull tjetër në analet e konfliktit mes të rinjve të ardhur nga Afrika e Veriut dhe policisë franceze. Dhe çështja nuk konsiston aspak në këtë rast në metodat e përdorura prej ruajtësve të rendit apo përhapjes së islamofobisë në mesin e tyre. Problemi është shumë më i thellë dhe ka të bëjë me të gjithë Francën, mendon Kreu i Qendrës për Hulumtime Franceze të Institutit rus të Evropës, Juri Rubinskij:

- Në këtë vend të vjetër katolik, i cili, ndër të tjera, respekton në mënyrë rigoroze që nga kohërat e Revolucionit të Madh Francez parimet laike të organizimit të jetës publike, të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të besimit - Islami është bërë feja e dytë. Pra, rreth 5 milionë myslimanë respektojnë traditat e tyre fetare në vazhdimësi, më aktivisht dhe në mënyrë më rigoroze se sa katolikët traditat e krishtere. Pikërisht këtu dhe lindin disa arsye të caktuara, shkaqe për fërkime.

Në të njëjtën kohë nuk është e drejtë të fajësohet plotësisht për këtë situatë konfrontimi fetar. Siç vuri në dukje Juri Rubinskij, fjalë bëhet në përgjithësi mbi hezitimin, mosdëshirën e getove etnike në periferitë e Parisit për t'iu bindur, nënshtruar ligjeve ekzistuese në Francë.