Midis tyre: realizimi i dërgesave të armëve militantëve të opozitës; dhënia e goditjeve mbi forcat qeveritare nga ajri, shpallja e zonës së ndalim-fluturimit mbi territorin e Sirisë, krijimi i zonave parambrojtëse tampon (buffer) në kufirin e Sirisë me Turqinë dhe Jordaninë. Dhe, opsioni i fundi, përdorimi i forcave speciale amerikane për të marrë nën kontroll armën kimike në këtë vend.

Letra prej 3 faqesh e Gjeneralit Martin Dempsey ishte një përgjigje ndaj kërcënimit të senatorit republikan John McCain. Apologjeti kryesor i ndërhyrjes ushtarake në Siri është kërcënuar të bllokojë riemërimin e Gjeneralit Dempsey në pozitën më të lartë ushtarake në Shtetet e Bashkuara në rast se planet e sipërpërmendura nuk do të parashtrohen në javët e ardhshme.

Gjeneralët amerikanë rrallëherë u japin vlerësime planeve politike të Pentagonit. Por këtë herë Martin Dempsey devijoi nga rregulli i pashprehur dhe e plotësoi përmbajtjen e letrës së vet me komente të ashpra politike. Ndonjëherë aplikimin e forcës ushtarake mund ta ndjekin pasoja krejtësisht të papritura dhe atëhere situata mund të ndryshojë në kahun negativ, deklaroi Gjenerali Martin Dempsey:

- Do të jetë tejet e vështirë për të shmangur zgjerimin e ndjeshëm të ndërhyrjes. Ne mund të përforcojmë pa dashje pozitat e ekstremistëve apo të provokojmë përdorimin e armëve kimike, të cilat duam t’i marrim vetë nën kontroll.

Dempsey sugjeron në letrën e tij se ndërhyrja në Siri do të krijojë automatikisht për Shtetet e Bashkuara një Afganistan apo Irak të dytë. Sipas vlerësimeve të Pentagonit, shpenzimet për Sirinë do t’i kushtojnë buxhetit të SHBA-së nga 500 milionë dollarë në vit deri në 1 miliard dollarë në muaj. Shtëpia e Bardhë nuk është aspak e prirur për të ndërmarrë shpenzime të tilla në sfondin e kursimit të projektuar të mjeteve buxhetore.

Intervencionin e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Siri po përpiqet ta arrijë me të gjitha mënyrat e mundshme opozita siriane. Në Nju Jork mbërriti dy ditë më parë Komandanti i Ushtrisë së Lirë Siriane, Gjenerali Salim Idris.

Ndërkohë, pas bisedimeve të mbajtura më 22 korrik në Moskë me Zëvendëskryeministrin sirian Qadri Jamil (Kadri Jamil), Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov theksoi në mënyrë të përsëritur se zgjidhja e situatës së krizës në Siri me rrugë ushtarake është e pamundur:

- Ne po përpiqemi t’i bindim të gjithë mbi domosdoshmërinë për të miratuar sa më shpejt që të jetë e mundur nismën ruso-amerikane për të konvokuar pa parakushte konferencën ndërkombëtare mbi Sirinë. Për fat të keq, tani për tani - ndryshe nga Qeveria e Sirisë - pjesa dërrmuese e opozitarëve, duke përfshirë edhe Koalicionin Kombëtar, nuk po shpreh ndonjë gatishmëri të tillë.