Politikanët dhe ekspertët e pavarur po shprehen gjithnjë e më shpesh se sulmet informative përdoren gjerësisht kudo dhe se dëmet e shkaktuara prej tyre nganjëherë janë madje më të mëdha se ato të armëve tradicionale. Nëpërmjet rrjeteve elektronike shkëmbejnë të dhënat mes tyre bankat, strukturat shtetërore, të cilat mund të jenë objektiva të mundshme për sulme kibernetike, thotë Presidenti i kompanisë "Inforus" Andrei Masalloviç:

- Sot fuqia e armëve kibernetike është e tillë që lejon të çaktivizohen sistemet energjetike të rajoneve, elementet e infrastrukturës hekurudhore dhe asaj të aviacionit. Dhe këto nuk janë aspak gjëra teorike, por rreziqe plotësisht reale.

Sipas mendimit të ekspertëve, më i pambrojturi nga sulmet e hakerëve është sektori bankar. Dhe viktima të kiber-terroristëve bëhen si institucionet financiare private, ashtu dhe ato shtetërore. Objekte sulmesh në kohë të ndryshme janë bërë bankat amerikane, sistemet ndërkombëtare të pagesave, site i Sberbank të Rusisë.

Në përgjigje të këtij kërcënimi shtetet kryesore kanë filluar të krijojnë panele ndërkombëtare dhe komisione për luftën kundër terrorizmit kibernetik. Në qershor të këtij viti Rusia dhe Shtetet e Bashkuara formuan një grup të përbashkët pune për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me kërcënimet në hapësirën kibernetike. Sipas pikëpamjes së ekspertëve, punën e palës ruse në këtë drejtim e pengon seriozisht mungesa e një qendre të vetme dhe rregullave unike të lojës. Roman Romaçov, kompania e të cilit "R-Tehno" (rus. “Р-Техно”) punon në fushën e biznes-zbulimit, shprehet se dokumenti i përgatitur mbi bazën e politikës shtetërore në fushën e sigurisë kibernetike destinohet pikërisht për të mbushur këtë boshllëk:

- Ky është një dokument shumë i nevojshëm. Në Rusi praktikisht nuk ekzistojnë kurrfarë rregullash në sferën e sigurisë kibernetike. Tek ne, në vend, me këtë punë janë të angazhuara disa struktura ushtarake, kurse një pjesë e funksioneve i është transferuar Administratës presidenciale. Për ne paraqitet i nevojshëm përvetësimi i përvojës së amerikanëve - ata kanë krijuar një shtab të vetëm që merret me këtë problem.

Ekspertët vërejnë se "fushëbeteja" në hapësirën kibernetike aktualisht është vetëm në fazën e formimit dhe tani për tani asnjëra nga palët nuk ka përparësi të dukshme në të. Kurse kjo do të thotë se çdonjëri nga lojtarët e mëdhenj botërorë ka shans për të zhvilluar një armë, që superon atë të rivalëve të vet, dhe të bëhet lider në sferën e re mjaft premtuese.