Sipas mendimit të ekspertëve, kjo masë do të ndihmojë për të shmangur zhdukjen e popullatës së peshqve të familjes Bli (angl. Sturgeon; ital. Storione).

Vendosja e një moratoriumi pesëvjeçar mbi peshkimin në Detin Kaspik të peshkut Bli është propozuar që në nëntor të vitit 2010, në samitin e zhvilluar në Baku të Azerbajxhanit. Katër nga pesë vendet, të cilat kanë dalje në Detin Kaspik (Rusia, Azerbajxhani, Kazakistani dhe Irani), u shprehën që atëhere të gatshme për ta aplikuar menjëherë në praktikë atë. Por Turkmenistani në atë samit nuk u pajtua me një vendim të tillë. Sipas fjalëve të Kreut të Qendrës për Marrëdhënie me Publikun të “Rosribollovstvo” (russ. “Росрыболовство” - Agjencia Federale e Rusisë për Peshkimin) Aleksandër Saveljev, vendet pranëkaspike më në fund arritën të bien dakord mbi vendosjen e moratoriumit:

- Sigurisht, për të ndihmuar ripërtëritjen dhe shtimin e familjes së peshqve Bli është e nevojshme të imponohet moratoriumi për peshkimin e tyre nga të gjitha shtetet bregdetare të Kaspikut. Prandaj ne presim që në samitin e ardhshëm të shteteve të pellgut të Detit Kaspik kjo çështje të gjejë zgjidhje përfundimisht. Edhe pozicioni i Turkmenistanit ndaj saj tashmë ka ndryshuar.

Situata me peshkun Bli aktualisht është me të vërtetë mjaft kritike. Gjatë dekadës së fundit numri i peshqve të kësaj familjeje është reduktuar me 30-40 herë. Ata peshkohen për mishin e tyre të shijshëm dhe havjarin, i cili konsiderohet si një nga delikatesat më të shtrenjta në botë.

Me qëllim që të shpëtohej në ndonjëfarë mënyre popullata e këtij lloj peshku Rusia në vitin 2002, në mënyrë të njëanshme, imponoi moratoriumin për peshkimin e tij. Aktualisht kapja e peshkut Bli është e lejueshme, e mundur vetëm për qëllime kërkimoro-shkencore. Në Rusi po zhvillohen gjithashtu në mënyrë mjaft aktive fermat për kultivimin artificial të peshkut Bli. Shkencëtarët rusë kanë zhvilluar një metodë, e cila lejon marrjen e vezëve të peshkut duke e lënë të gjallë pas kësaj atë. Një pjesë e havjarit shkon për rritjen e peshqve të vegjël në pishina të posaçme. Kur rriten këta peshq i lëshojnë në habitatin e tyre të zakonshëm natyror (në det të hapur). Një pjesë tjetër e vezëve të peshkut përdoret për prodhimin e delikatesës. Dhe, duhet thënë, se havjari artificial nuk është aspak i ndryshëm nga ai natyror. Megjithatë çmimet e tij mbeten ende shumë të larta: në tregjet evropiane ato mund të arrijnë në disa mijë dollarë për një kilogram havjar. Pikërisht kjo dhe i inkurajon kontrabanduesit për peshkim të paligjshëm.

Ekspertët janë mëse të sigurt se nëqoftëse të gjitha shtetet pranëkaspike do të bien dakord për vendosjen e një moratorium të përgjithshëm, atëhere popullata e peshqve të familjes Bli do të mund të rivendoset së shpejti. Dhe pas pesë vjetësh do të mund të flitet tashmë mbi fillimin e peshkimit të kujdesshëm industrial të peshkut Bli. Duhet vetëm t’i jepet mundësia natyrës të pushojë pak.