Një nga temat kryesore të bisedimeve të tyre u bë përgatitja për konferencën e ardhshme ndërkombëtare për Sirinë - “Gjeneva-2”.

Takimi i Sergei Lavrov me Zëvendëskryeministrin sirian zgjati pothuajse një orë. Qadri Jamil erdhi në Moskë për të negociuar në lidhje me bashkërenditjen e parametrave të kredisë që Moska është e gatshme t’i ofrojë Damaskut. Pas takimit Zëvendëskryeministri sirian i tregoi "Zërit të Rusisë" se ekspertët arritën të bien dakord për pjesën më të madhe të çështjeve. Dhe se deri në fund të këtij viti vendimi mund të merret. Afatet më konkrete, po ashtu si dhe parametrat e kredisë, Jamil, megjithatë, nuk pranoi t’i komentojë. Sipas fjalëve të tij, shumë më i rëndësishëm është vetë fakti që Moska shprehet e gatshme të mbështesë Sirinë në kohët më të vështira për vendin:

- Në momentet aktuale po punohet aktivisht për të minuar situatën ekonomike në Siri. Përgjegjësia kryesore për atë që po ndodh sot në vend bie mbi Perëndimin, ai është fajtori kryesor për të gjitha vuajtjet e sirianëve. Është e vështirë të imagjinohet se cili do të ishte fati i popullit sirian, nëse nuk do të kishte qenë ndihma e vendeve mike, përfshirë dhe Rusinë.

Përveç çështjes së ndihmës ekonomike, Jamil dhe Lavrov prekën në bisedime edhe zgjidhjen politike të krizës në Siri:

- Ne jemi plotësisht dakord se mënyra e vetme për të dalë nga kriza është zgjidhja politike. Prandaj konferenca ndërkombëtare paraqitet e vetmja rrugëdalje nga kriza në Siri. Si qeveria, ashtu dhe opozita e brendshme patriotike dalin për një zgjidhje të tillë. Pengesa që vazhdon të mbetet për arritjen e këtij pikësynimi është pozicioni i opozitës së jashtme, e cila vë parakushte për thirrjen e konferencës ndërkombëtare.
Faktin, se sot autoritetet e Sirisë janë të gatshme për dialog dhe kompromis, e konfirmoi edhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov:

- Ne po përpiqemi t’i bindim të gjithë për të miratuar sa më shpejt që të jetë e mundur nismën ruso-amerikane për thirrjen pa parakushte të konferencës ndërkombëtare mbi Sirinë. Ç’është për të ardhur keq, tani për tani - ndryshe nga qeveria e Sirisë - një pjesë e mirë e opozitarëve, duke përfshirë edhe Koalicionin Kombëtar, nuk po tregojnë një gatishmëri të tillë. Ne e dimë se qeveria juaj është e hapur për dialog me forcat opozitare dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni këto përpjekje me qëllim që asnjë nga grupet konstruktive opozitare të mos mbetet jashtë kuadrit të pjesëmarrësve të konferencës së ardhshme, e cila, siç shpresoj unë, do të mblidhet së shpejti.

Pas bisedimeve Zëvendëskryeministrit sirian i drejtuan pyetjen tashmë tradicionale për takime të tilla - mbi furnizimin e sistemeve ruse të mbrojtjes kundërajrore “S-300” (russ. “C-300”). Qadri Jamil u përgjigj se të hënën ai dhe Lavrov nuk janë diskutuar kontratat ushtarake. Megjithatë, ai e di se që të gjitha marrëveshjet e arritura më parë mes Rusisë dhe Sirisë po zbatohen.