Shefi i Misionit Ake Sellström dhe Përfaqësuesja e Lartë e OKB-së për Çështjet e Çarmatimit Angela Kane planifikojnë të zhvillojnë bisedime me Ministrin e Jashtëm sirian, Walid al-Muallem, dhe ekspertë vendorë.

Ndërkohë, javën e kaluar Rusia i dorëzoi OKB-së dhe autoriteteve amerikane rezultatet e ekspertizës, e cila në mënyrë të qartë, të padiskutueshme konfirmoi se më 19 mars, në periferitë e qytetit të Aleppo, rebelët kanë përdorur substancën helmuese Sarin, nga e cila gjetën vdekjen pothuajse 30 njerëz. U gjet gjithashtu se predha (municioni) vdekjeprurëse ishte prodhuar në mënyrë artizanale në shkurt të vitit 2013 në territorin që ndodhej nën kontrollin e Ushtrisë së Lirë Siriane. Në përgjigje të kësaj Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Jen Psaky, deklaroi se Uashingtoni "nuk beson" në një mundësi të tillë - sikur kjo të ishte një çështje besimi dhe jo dëshmi faktike.

Kundruall sfondit të betejave politike rreth komponentit kimik në Siri po vazhdojnë luftimet, në të cilat përdoren aktivisht armët konvencionale. Vetëm në javët e kaluara militantët kanë marrë nga jashtë një sasi shumë të madhe armatimesh, duke përfshirë edhe armë të rënda. Fjalë bëhet mbi dërgesat e armëve të realizuara prej vendeve që hyjnë në të ashtuquajturin "Grupi i Miqve të Sirisë". Por duhet thënë se armë e municione rebelët marrin edhe nga burime të tjera. Ekspertët theksojnë se në këtë punë janë të përziera edhe disa vende perëndimore, edhe pse kjo nuk është bërë publike. Ndërkaq në SHBA iniciativa përkatëse e Presidentit Barack Obama u bllokua nga Kongresi. Megjithatë, ushtarakët deklarojnë se ata do të kërkojnë mënyra të tjera për të mbështetur rebelët sirianë.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe William Hague, nga ana e vet, u premtoi parlamentarëve se furnizimi me armë i opozitës siriane do të realizohet vetëm me pëlqimin e tyre. Megjithatë, Kryeministri David Cameron më parë pat deklaruar se i rezervon vetes të drejtën për të marrë vendimin mbi intervencionin në Siri.

Moska mbështet hetimin e dërgesave të paligjshme të armëve në Siri. Kohët e fundit po vijnë jo pak njoftime në lidhje me dërgesat ilegale për grupet e armatosura opozitare, të cilat realizohen në shkelje të embargos së Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Situata e krijuar po përkeqësohet çdo ditë e më shumë nga katastrofa humanitare në Siri. Çdo javë gjatë luftimeve midis palëve kundërshtare vriten mijëra sirianë. Ndërsa numri i refugjatëve ka thyer tashmë rekordin 20 vjeçar, duke iu afruar shifrës 2 milionë njerëz.