Të mërkurën Zëdhënësi i Qeverisë së Gjermanisë, Steffen Seibert, përgënjeshtroi njoftimet se zyrtarët gjermanë ishin në dijeni që shërbimet sekrete të SHBA-së merreshin me veprimtari përgjimi, survejimi në territorin e vendit, njofton botimi “Spiegel”. Nuk dihet tani për tani nëse do të mund t’i bindë versioni zyrtar i qeverisë për këtë gjermanët e zakonshëm, tashmë shumë të shqetësuar në lidhje me mbrojtjen e të dhënave të tyre private. Situata e krijuar u komentua prej kandidatit për ulëse në Bundestag nga Partia Pirate gjermane Bruno Kramm:

- Ajo që na shokoi, na tronditi veçanërisht është informacioni mbi faktin se politikanët përgjegjës kanë qenë në dijeni të përgjimit, spiunimit. Ka dëshmi faktike të asaj se Shërbimi Sekret Gjerman (Bundesnachrictendienst - BND) shpesh kërkon ndihmën e SHBA-së kur është fjala për hapjen e fshehtë të postës elektronike (e-mail). Prezumimi i pafajësisë, si dhe liria e komunikimit dixhital, është e mbrojtur nga neni 10 i Ligjit tonë Themelor, dhe ai është shkelur rëndë, madje në mënyrë brutale me këtë mbikëqyrje totale.

Angela Merkel, edhe pse zë aktualisht pozicion kryesues në garën paraelektorale, nuk e ka aspak të lehtë ta mbajë këtë vend. Ajo madje e ftoi Presidentin e SHBA-së për të mbajtur një fjalim në qendër të Berlinit, me shpresën për të fituar pikë ekstra. Por fjalimi frymëzues i Barack Obamës rreth miqësisë dhe partneritetit tani nuk duket më aspak bindës. Ndërsa Merkel u detyrua të ndryshojë në mënyrë të theksuar pozicionin e saj në lidhje me mbrojtjen e të dhënave. Piratët e kanë ngritur tashmë që prej vitesh këtë çështje për diskutim:

- Zonja Merkel vuri re indinjatën, zemërimin e qytetarëve dhe kërkoi urgjentisht zgjidhjen e çështjes së mbrojtjes së të dhënave në nivel të BE-së, edhe pse vetë e ka bllokuar për një kohë të gjatë atë. Ne jemi të kënaqur nga fakti që ajo ka ndryshuar pozicionin e saj, pasi jemi përpjekur për vite me radhë të tërheqim vëmendjen ndaj problemit të mbrojtjes së të dhënave në Facebook dhe rrjete të tjera sociale. Tani erdhi koha të pyesim veten, mos përbëjnë vallë veprimet e shërbimeve të inteligjencës për shoqërinë tonë, për jetën tonë personale dhe lirinë tonë një rrezik shumë më të madh se ai që na është imponuar nga kërcënimi i terrorizmit.

Ndërsa politikanët evropianë janë duke u përpjekur për të marrë përgjigje nga Shtetet e Bashkuara ose për të gjetur të paktën ndonjë shpjegim të asaj që po ndodh, debatet më të nxehta po zhvillohen pikërisht në Gjermani. Qeveria e vendit është kritikuar rëndë nga opozita, Kancelarja Merkel u detyrua të ndryshojë qëndrimin e vet ndaj kësaj çështje, kurse në koalicionin qeverisës nuk po mund të zgjidhin dot dilemën se çfarë është më e rëndësishme: problemet e sigurisë apo mbrojtja e privatësisë së individit.