Raketëmbajtësja "Proton-M" me tre satelitë të sistemit të navigacionit GLONASS (russ. ГЛОНАСС) në bord në sekondën e dymbëdhjetë pas startimit devijoi nga trajektorja e projektuar, raketa u shpërbë në disa fragmente dhe shpërtheu. Në bazë të faktit të aksidentit të ndodhur u ngrit një çështje (rast) penale dhe është iniciuar tashmë hetimi i tij. Sipas njërit prej versioneve kryesore, por ende jozyrtare, i gjithë faji për këtë dështim i ngarkohet faktorit njerëzor: sensori i shpejtësive këndore ishte instaluar gabimisht. Por vlefshmëria e këtij konfirmimi ngre dyshime të forta, shprehet akademiku i Akademisë ruse të Kozmonautikës me emër të K.E. Tsiolkovsky, Aleksandër Zheleznjakov:

- Gjatë përgatitjes së startimit të raketës kontrollohet një masë e tërë parametrash me qëllim që fluturimi të jetë i qetë, pa probleme dhe i drejtueshëm. Nëse leximet e këtyre sensorëve bien në kundërshtim me ato që janë regjistruar në sistemin e kontrollit (drejtimit), atëhere sistemi i kontrollit duhet të përgjigjet, pra të reagojë në ndonjëfarë mënyre ndaj kësaj mospërputhjeje. Nëse ky sensor ishte instaluar gabimisht, ndërsa një version i tillë qarkullon aktivisht tani, atëhere është plotësisht e mundur që leximet e tij të kenë çuar në funksionimin e gabuar të sistemit të kontrollit. Kjo është gjoja arsyeja e rrëzimit të raketëmbajtëses, Komisioni i hetimit të avarive nuk e ka artikuluar ende atë. Ky version ekziston në nivelin e thashethemeve, sepse një disfunksionim i tillë i pajisjes ende në tokë mund të evidentohet pa problem. Dhe, në përgjithësi, është krejtësisht e pakuptueshme, e paqartë se si mundi të ndodhë kjo.

Me raketëmbajtësen e tipit "Proton-M" një katastrofë e ngjashme ka ndodhur në vitin 2010. Atëhere shkaku i aksidentit ishte gjithashtu faktori njerëzor: në serbatorin e karburantit të bllokut përforcues të vrullit (fazës së sipërme të raketëmbajtëses) hodhën një ton e gjysmë më shumë oksidant nga sa nevojitej. Mbi atë, se kush duhet fajësuar për këto dështime të papëlqyera në industrinë kozmike ruse, përsiat vëzhguesi i revistës "Të rejat e kozmonautikës” (russ. “Новости космонавтики”), Igor Lisov:

- Raketëmbajtëset “Proton” lëshohen jo vetëm për sistemin e navigavionit GLONASS. Ato përdoren edhe për realizimin e programeve komerciale. Dhe në vitet e fundit është evidentuar një veçori shumë e keqe. Lëshimet komerciale, si rregull, kanë tendencë të jenë më të suksesshme sesa lëshimet për interesat shtetërore. Domethënë, numri i aksidenteve gjatë realizimit të programit tonë kombëtar, nuk dihet se për çfarë arsyesh, është në mënyrë evidente më i lartë se sa në programet komerciale. Dhe problemi nuk qëndron aspak këtu në vetë raketëmbajtësen "Proton", por, me sa duket, në qëndrimin e njerëzve ndaj punës që ata bëjnë.

Dëmi i shkaktuar nga startimi i dështuar i raketëmbajtëses “Proton” ishte më shumë se 200 milionë $. Qeveria ruse e ka marrë hetimin e aksidentit në fjalë nën kontroll të veçantë. Në të ardhmen e afërt duhet të bëhen publike rezultatet e hetimit, të cilat do të hedhin dritë mbi shkakun e vërtetë të shpërthimit të raketës "Proton-M".