Galeria fotografike

Skenari i festës është mbajtur rreptësisht sekret deri në momentin e fundit. Por ceremonia e mbylljes doli shumë më gjallë, më emocionuese dhe më spektakolare nga ç’pritej. Përveç paradës tradicionale të delegacioneve të vendeve pjesëmarrëse dhe fjalimeve të personave të lartë zyrtarë, programi i përfundimit të Universiadës përfshiu edhe koncertin mbresëlënës të yjeve ruse dhe të huaja të muzikës për të rinjtë (youth music). Madje edhe fjala e parë, që iu dha Kryeministrit të Federatës Ruse, Dimitri Medvediev, pati një tis romantik:

- Lufta e ndershme sportive, shpirti i ekipit, besimi, ndihma reciproke - të gjitha këto parime janë të nevojshme jo vetëm në sport, por edhe në jetë gjithashtu: në marrëdhëniet midis njerëzve dhe midis vendeve. Unë ju uroj që të keni besim tek vetja, në forcat tuaja, që të doni sportin, të dini të krijoni dhe të ruani miqësinë. Unë shpresoj shumë që secili prej jush të ketë gjetur këtu, në Kazan, së paku një pjesë të suksesit, mbarësisë së vet. Dikush fitoi, dikush mundi të marrë medalje. Dikush tjetër fitoi kënaqësi nga njohja me qytetin e mrekullueshëm Kazan. Shpresoj se të gjithë ju keni gjetur miq të rinj këtu. Ndërsa disa prej jush, ndoshta, edhe dashurinë e vet ...

Në skenën kryesore debutuan këngëtarë të njohur dhe kolektiva muzikore ruse me emër, si dhe grupi moldav me shumë popullaritet në Rusi "Zdob si Zdub". Të ftuarit e nderit në lozhën e VIP-ave të Pallatit "Kazan-Arena" u përfshinë nga euforia e përgjithshme, me të cilën ishte e elektrizuar atmosfera festive, dhe i lejuan vetes të rilaksohen e të argëtohen si në vitet e jetës studentore. Duke kujtuar rininë e vet, ata kërcenin pa e vrarë shumë mendjen se nuk do të kenë pamje solide e serioze në fotografitë e publikuara në faqet e gazetave të mëngjesit. E çfarë mund të thuhet pas kësaj për vullnetarët, sportistët dhe spektatorët që ishin mbledhur në tribuna.

Prezantimin e vet mjaft spektakolar me muzikë dhe kërcime moderne e kishte përgatitur edhe i zoti i ardhshëm i shtëpisë i Universiadës së XXVIII-të Verore Botërore - Gwangju korean. Kryebashkiaku i këtij qyteti dhe Kryetari i Komitetit Organizues të Universiadës së vitit 2015 u shpreh sinqerisht se Kazani zhvilloi Lojra me të vërtetë fantastike rinore.

Kryetari i Bashkisë i qytetit Kazan, Ilsur Metshin, vuri në dukje në fjalën e vet se Kazan-i është një nga vendet e pakta në planet, ku jetojnë në miqësi dhe pa kurrfarë konfliktesh përfaqësuesit e kulturave më të ndryshme:

- Zjarri i Universiadës së XXVII-të Verore bashkoi dhe ngrohu miliona njerëz në planetin tonë. Dhe është një fakt shumë simbolik se kryeqytet i sportit universitar këto ditë u bë pikërisht Kazan - qyteti ku për shekuj të tërë me radhë jetojnë në paqe dhe miqësi midis tyre 116 popuj dhe nacionalitete të ndryshme. Qyteti ku nga një dritare mund të shohësh pranë e pranë xhaminë, tempullin orthodhoks, kishën katolike dhe sinagogën.

Presidenti i FISU Claude-Louis Gallien i shpalli Lojrat të mbyllura dhe menjëherë pas kësaj në Pallatin "Kazan-Arena" u fik pishtari i Universiadës. Festa përfundoi. Dhe kjo, duhet thënë, ishte një festë më të vërtetë grandioze.