Ushtria e Lirë Siriane nuk ka aspak ndërmend t’ia dorëzojë pozicionet e veta islamistëve. Megjithatë, luftën në dy fronte ajo nuk është në gjendje ta përballojë dot.

Militantët e Ushtrisë së Lirë Siriane janë fort të shqetësuar për pozitën në të cilën u ndodhën falë gjithë këtyre ngjarjeve të fundit. Territorit pranëkufitar të Sirisë me Turqinë ia ka vënë syrin tashmë "Al-Qaeda". Në këtë mënyrë, nën kontrollin e islamistëve mund të ndodhet i gjithë fluksi i armëve dhe municioneve që depërton në vend nga Turqia si dhe të ardhurat e fituara nga kontrabanda e naftës siriane dhe hyrja e paligjshme e mallrave të ndryshme, vë në dukje orientalisti rus Sergei Serjogiçev:

- Në përgjithësi, duhet thënë, se autoritetet turke as që janë përpjekur për ta fshehur faktin se ato janë përfshirë në furnizimin e armëve. Vetëm ato mund ta quajnë këtë "ndihmë për popullin e lirë sirian në luftën e tij të përgjakshme kundër regjimit të Asadit", kurse në botën e civilizuar kjo quhet thjesht kontrabandë. Përveç armëve, atje ka vend edhe kontrabanda e zakonshme e gjithçkaje që gëzon kërkesë të lartë në rajonet e shkatërruara nga lufta - medikamentet mjekësore, produktet ushqimore e kështu me radhë. Të gjitha këto depërtojnë në Siri nëpërmjet pikave të caktuara në kufi. Pikërisht kontrollin ndaj tyre dhe përpiqen të shtinë në dorë tani islamistët.

Përfaqësuesit e Ushtrisë së Lirë Siriane nuk i kënaq aspak një perspektivë e tillë. Duke humbur kondrollin ndaj flukseve të kontrabandës së armëve dhe rrymave të financave, ata humbasin mundësinë për t’i bërë ballë forcave të Bashar Al-Assad. Dhe, në përgjithësi, ekzistenca e tyre do të jetë e kërcënuar pas kësaj. Në Siri tani po luftojnë shumë grupe të armatosura, të cilat kanë vizionin e tyre mbi të ardhmen e vendit, thekson eksperti i Qendrës për Studime Arabe të Institutit të Orientalistikës të Akademisë ruse të Shkencave, Boris Dollgov:

- Midis militantëve anti-qeveritarë ka grupime, fraksione të ndryshme. Ekziston e ashtuquajtura Ushtri e Lirë Siriane, që mbështetet nga Perëndimi dhe Turqia, e cila ka shpallur si qëllimin e vet kryesor përmbysjen e regjimit të Bashar Al-Assad, por jo krijimin e shtetit islamik. Ka grupe të lidhura ngushtë me "Al-Qaeda-n", për shembull "Dzhebhat en-Nusra". Ka grupe që përfaqësojnë krahun radikal të organizatës "Vëllazëria Myslimane". Ka gjithashtu grupe të lidhura me forcat islamike libaneze. Pikësynimi i grupeve islamike është krijimi i një shteti islamik në Siri. Prandaj brenda radhëve të opozitës së armatosur siriane ka plasur grindja.

Kohët e fundit këto kontradikta janë manifestuar në mënyrë tejet evidente. Përfaqësuesi i lartë zyrtar i Ushtrisë së Lirë Siriane, Kamal Hammami, i cili shkoi në shtabin e radikalëve islamikë për të diskutuar veprimet e përbashkëta me ta, u vra për shkak të mosmarrëveshjeve të mprehta.

Tani përfaqësuesit e Ushtrisë së Lirë Siriane deklarojnë me të madhe se ata nuk do t’i lejojnë islamistët të hedhin rrënjë në vend. Megjithatë, është mëse e qartë se për të luftuar në dy fronte ata nuk kanë forca të mjaftueshme.