Debutuan në mënyrë të mrekullueshme, madje të shkëlqyer të zotët e shtëpisë së Universiadës në turneun e gjimnastikës artistike (ritmike). Margarita Mamun fitoi në ushtrimet me birila, fjongo dhe rreth. Aleksandra Merkullova në ushtrimet me top. Nuk kishin të barabartë me veten gjimnastet ruse edhe në ushtrimet në grup: me dhjetë birila (shishe), tre topa dhe dy shirita (fjongo). Si përfundim, ato fituan plot 6 medalje ari!

Pesë herë u ngjitën sportistët rusë në shkallën më të lartë të piedestalit të nderit gjatë konkurrencës së ashpër sportive në disiplinën e sambos. Ilia Hllibov, Sergei Kirjuhin, Aleksandër Kuçumov, Marina Mohnatkina dhe Anastasia Kovjazina demonstruan në tapetin e Pallatit të arteve marciale "Tatneft-Arena" me të vërtetë super mjeshtërinë e tyre. Të gjitha duelet e tyre i fituan të martën edhe mundësit rusë të stilit greko-romak respektivisht Ivan Kujllakov, Roman Vllasov dhe Nikita Melnikov.

Tre medalje ari i sollën skuadrës përfaqësuese të Rusisë qitësit dhe të gjitha ato në renditjen ekipore. Këto janë: ekipi i meshkujve në qitjen me pistoletë nga distanca 50 metra, ekipi i femrave në qitjen me pistoletë nga distanca 25 metra si dhe ekipi i meshkujve në qitjen në tabelë (stendë) në ushtrimin "double trap".

Pa asnjë humbje debutuan sportistët rusë edhe në ndeshjet finale të disiplinave sportive të lojrave me dorë. Basketbollistët në ndeshjen finale për medaljen e arit mundën ekipin e Australisë me rezultatin 81:74. Volejbollistët triumfuan në tre sete ndaj ekipit përfaqësues të Polonisë. Ekipi i femrave i Rusisë në disiplinën e waterpolit mundi përfaqësuesen e Hungarisë. Tenistët Andrei Kuznjecov dhe Elena Vesnina u bënë kampionë të Universiadës në kategorinë dyshe të përziera.

Në ditën e fundit të garave të notit në Pallatin e sporteve ujore rusët kanë fituar në katër finale. Julia Efimova doli më e shpejta në garën e notit në distancën 50 metra stil bretkosë. Vladimir Morozov në garën e notit 50 metra stil i lirë. Fituan gjithashtu kuartetet ruse të femrave dhe meshkujve në stafetat 4 x 100 metra stil i përzierë.

Sot do të zhvillohet rivaliteti sportiv për 9 kompletet e fundit të medaljeve të Universiadës. Do të mbahen garat e notit në ujë të hapur. Në ndeshjen finale të turneut të waterpolit për meshkuj do të takohen rivalët e vjetër - ekipet përfaqësues të Rusisë dhe Hungarisë. Të dyja skuadrat ruse të rugby i çanë vetes rrugën për në finale. Ekipi i femrave do të luajë sot me italianet, ndërsa ai i meshkujve do të masë forcat me francezët në ndeshjen vendimtare për medaljen e arit. Për 4 kompletet përfundimtare të medaljeve të Univesiadës do të rivalizojnë mes tyre qitësit. Skuadra përfaqësuese e Rusisë zotëron deri tani 285 medalje, midis të cilave 151 janë ari.

Ndërsa në mbrëmje do të mbahet ceremonia solemne e mbylljes së Universiadës, e cila u bë një triumf i vërtetë për të zotët e shtëpisë së saj si përkatësisht rezultateve të arritura mjaft impresionuese, ashtu dhe organizimit të garave në të gjitha disiplinat sportive.