Inspektimi i befasishëm gjithëpërfshirës i trupave të dy qarqeve ushtarake të Lindjes së Largët të Rusisë filloi të shtunën. Rusia aktualisht nuk ka asnjë detyrim ndërkombëtar që të informojë fqinjët mbi stërvitjet e veta ushtarake në këtë rajon. Përjashtim bën Kina në këtë rast. Midis dy vendeve ekziston Marrëveshja e nënshkruar në vitin 1998 mbi masat e ndërtimit të besimit në sferën ushtarake, e cila ka të bëjë me aktivitetet ushtarake brenda kufijve të zonës 100-kilometërshe në afërsi të kufirit. Moska dhe Pekini besojnë se është i rëndësishëm forcimi i komponentit ushtarak të partneritetit të tyre strategjik, ndër të tjera edhe përmes stërvitjeve të përbashkëta ushtarake.

Javën e kaluar përfunduan manovrat e para ushtarake ruso-kineze të këtij viti në Detin e Japonisë. Nga të dyja palët në to u përfshinë rreth 20 shkatërrues (destroyers), kryqëzorë raketorë, anije anti-nëndetëse si dhe më shumë se 10 avionë luftarakë (gjuajtës) dhe helikopterë. Manovrat në fjalë kanë pasqyruar qartë afrimin ushtarak ndërmjet Rusisë dhe Kinës, vuri në dukje Kryeredaktori i revistës "Mbrojtja kombëtare" (russ. “Национальная оборона”) Igor Korotçenko:

- Stërvitjet do t’i shërbejnë ruajtjes së stabilitetit në rajonin e Azi-Paqësorit dhe nuk kanë aspak për qëllim ushtrimin e ndonjë presioni politik mbi vendet e treta. Kjo duhet të theksohet medoemos, sepse ka spekullime të shumta në lidhje me këtë temë.

Rusia dhe Kina me këto manovra të përbashkëta ushtarake u kanë bërë të qartë fqinjëve të vet se do të rrisin përpjekjet për mbrojtjen e përbashkët të sigurisë kombëtare. Më 3 gusht në rajonin e Uraleve Rusia dhe Kina do të zhvillojnë manovrat e trupave të tyre tokësore. Në to do të praktikohet ndërveprimi në kohën e planifikimit, përgatitjes dhe zhvillimit të veprimeve luftarake gjatë operacionit antiterrorist.

Manovrat e përfunduara ushtarake ruso-kineze kanë tërhequr vëmendjen në Japoni. Ajo ka ndjekur me vëmendje të përqendruar lëvizjet e anijeve ruse dhe kineze si dhe veprimet e aviacionit. Kurse të dielën, më 14 korrik, burimet në Ministrinë e Mbrojtjes të Japonisë informuan mbi vendimin e Tokios për të krijuar njësinë e vet të marinsave për mbrojtjen e ishujve të largët jugorë. Nuk njoftohet asgjë tani për tani mbi afatet e krijimit të njësisë së re ushtarake. Por pritet që marinsat japonezë të fillojnë trajnimin së bashku me kontigjentin amerikan të "beretave blu", i cili ndodhet i dislokuar në Okinawa.