Kësula e kuqe ala Phrygien (frengj. le bonnet phrygien rouge) në kokë është një detaj krejtësisht i pazakontë tualeti për aktivistet e “FEMEN”. Vajzat e kësaj lëvizje janë të njohura për organizimin e protestave të veta gjysmë-lakuriq. Ato në këtë mënyrë luftojnë kundër prostitucionit dhe ngacmimeve seksuale, kundër pedofilisë dhe për legalizimin e martesave mes të njëjtit seks. Në vitin 2012 në Francë ato u përpoqën të minojnë mitingun e kundërshtarëve të ligjit të ri, i cili destinohej për legalizimin e martesave homoseksuale. Po atëhere lëvizja “FEMEN” u regjistrua në Francë, kurse më vonë Inna Shevçenko (Shevchenko) hyri në "Top-20 e femrave të vitit" sipas versionit të gazetës “Le Figaro”, vuri në dukje bashkëpunëtori kryesor shkencor i Institutit të Evropës të Akademisë së Shkencave të Rusisë, Sergei Fjodorov:

- Franca, e cila gjithmonë e ka pozicionuar veten si një vend që është shumë i preokupuar në lidhje me problemin e të drejtave të njeriut, ka tendencë për të ecur në ballë të të gjithëve, për të provuar superioritetin e vet në këto çështje. Në të njëjtën kohë, duke pasur parasysh prirjet e lëvizjes “FEMEN”, nuk mund të mos vërehet këtu edhe një moment provokativ. Me sa duket, Francën nuk e shqetëson fort fakti se si do të perceptohet ky vendim i saj në vendet e tjera, duke përfshirë edhe në Rusi.

Prototipin e ri të Marianne Presidenti François Hollande e zgjodhi në mesin e 15 pretendenteve. Lajmin, se ajo u bë praktikisht fizionomi e Francës, vetë Inna Shevçenko e mësoi nga mediat. Për të kjo nuk është më tepër se një surprizë e këndshme:

- Imazhin e aktivistes së “FEMEN” në pullën postare kombëtare të Francës e konsiderojmë si një fakt të këndshëm për ne dhe si një shuplakë të fortë në fytyrën e atyre që janë kundër luftës për të drejtat e grave. A do të vazhdojmë ne protestat në Francë? Sigurisht që po.

Artistët e rinj, që kanë punuar me heroinën e re, e gjetën imazhin e frymëzueses ideore të aksioneve shokuese të protestës mjaft tërheqës. Presidenti Hollande, pasi miratatoi punën e bërë prej tyre, deklaroi si vijon: "Rinia është prioritet i presidencës sime dhe kjo pullë postare është konfirmim evident i kësaj". Shefi i Qendrës së Studimeve Franceze të Akademisë së Shkencave të Rusisë, Juri Rubinskij, mendon se vendimi i Hollande nuk është i fokusuar kurrsesi në rininë:

- Aleatët e socialistëve në zgjedhje dhe në parlament - Fronti i Majtë, komunistët, ekologët - janë shumë të afërt me këto lëvizje. Pozitat e mazhorancës drejtuese në vend janë të paqëndrueshme. Ekzistojnë plasaritje, të çara evidente midis Partisë Socialiste qeverisëse dhe krahut të majtë ekstrem. Edhe në qoftë se qeveria nuk i mbështet parullat e tyre, për të është e domosdoshme të bëjnë gjeste të caktuara në adresë të tyre.

Pothuajse një gjysmë shekulli më parë autoritetet franceze vendosën t’i atribuojnë Marianne tipare bashkëkohore. Model për simbolin kombëtar janë bërë femrat më të famshme dhe më të bukura të vendit. Në kohë të ndryshme të tilla kanë qenë Brigitte Bardot, Mireille Mathieu, Catherine Deneuve, Laetitia Casta. Në vitin 2012 këtë "post" e meritoi Sophie Marceau.