Beteja e tanishme në periferitë e Moskës u zhvillua për më shumë se një orë. Kurse beteja e vërtetë zgjati disa ditë. Atëhere në betejën e tankeve nga të dyja palët kundërshtare u hodhën në fushën e luftës më shumë se një mijë armatime vdekjeprurëse - tanke, topa, autoblinda. Ajo ishte një ferr i vërtetë në tokë, kujton njëri prej pjesëmarrësve të asaj beteje, ndërsa tani mysafir i Festivalit "Fusha e Betejës", veterani i Luftës së Madhe Patriotike, Koloneli Vladimir Çernikov:

- Dara e Kurskut - ky është një territor që përfshin zonën 300 kilometra në thellësi dhe 500 kilometra në gjerësi. Fillimisht u morr vendimi për të shkuar në ofensivë, por pastaj komanda vendosi të lerë gjermanët të avancojnë drejt pozicioneve tona ndërsa ne të përqendrojmë forcat në mbrojtje. Dhe kur t’i shpartallojmë trupat hitleriane, vetëm atëherë të fillojmë kundërsulmin. Ne u pozicionuam atje, në çdo kilometër vendosëm tanke, topa, armë të tjera artilerike, kurse vetë u vendosëm në llogore duke pritur. Beteja nisi më 5 korrik të vitit 1943.

Vladimir Çernikov u lind në vitin 1925 në Siberi. Lufta e gjeti atë në Kazakistan, ku jo shumë kohë para fillimit të saj ai u zhvendos së bashku me prindërit e tij. Në fillim ai punoi në një fabrikë municionesh, ndërsa më pas vendosi se duhet të jetë në vijën e parë të frontit. Dhe e mban mend Vladimir Çernikov betejën e tij të parë deri në detajet më të hollësishme:

- Tanket lëviznin me rropullimë shurdhuese, kurse unë isha një ushtar fare i ri. Gjatë betejës sime të parë mua më dukej sikur të gjithë plumbat, bateritë e raketave dhe predhat e mortajave godisnin me zjarr të përqendruar llogoret tona. Shokët e mi më të vjetër të armëve më thanë: "Mos u shqetëso, ulu e rri i qetë tani për tani. Kur të jepet udhëri për sulm atëherë dhe do të nisim të qëllojmë". Sulmi filloi, atë e pasuan sulmi i dytë, i tretë. Në një ditë pati katër sulme rradhazi. Pas kësaj beteje nga njësia jonë prej 12 vetësh mbijetuan vetëm tre luftëtarë. Momenti më i vështirë ishte ai pesë minuta para sulmit, kur i ulur në llogore i lutesh Zotit që të kthehesh i gjallë nga fusha e betejës. Dhe mua më duket sikur një forcë e mbinatyrshme më ka ruajtur dhe më ka shpëtuar gjatë gjithë luftës, kujton veterani.

- Ne u hodhëm me revan në sulm më 11 gusht të vitit 1943. Vraponim prapa tankeve. Në këtë kohë gjëmoi një shpërthim i fuqishëm. Forca goditëse e tij më ngriti peshë në ajër dhe më hodhi mbi një tank. Pas përplasjes me metalin e ftohtë unë rashë për tokë. Prej ciflave të predhave u vranë gjashtë apo shtatë nga shokët e mi. Kurse mua sikur më shpëtoi dikush. Hapa sytë në momentin kur po më tërhiqnin zvarrë për të më stivosur në karrocën me luftëtarët e vrarë. Ndërsa po të mos kisha hapur sytë, atëherë mua do të më kishin varrosur të gjallë së bashku me gjithë të tjerët.

Plot katër muaj veterani mbeti i mbërthyer në shtratin e spitalit pa mundur të lëvizë dot fare. Pastaj edhe disa muaj të tjerë atij iu deshën që të mësojë të ecë sërish. Pasi doli nga spitali Vladimir Çernikovin deshën ta transferojnë në njësitë e rezervistëve. Por ai këmbënguli dhe u kthye përsëri në front. Ai ka arritur me luftime deri në Pragë, Vjenë dhe Berlin. "Lufta është për mua një epokë e tërë që unë nuk mund të harroj dot kurrë dhe për të cilën duhet t’i tregoj medoemos të tjerëve", - thotë Koloneli 88-vjeçar Vladimir Çernikov.