Në momentin e aksidentit në autobus ndodheshin më shumë se 40 pasagjerë. Sipas shifrave të publikuara zyrtare, 18 persona gjetën vdekjen, duke përfshirë edhe dy fëmijë, dhjetra të tjerë u lënduan keq. Shoferi i kamionit, shkaktari i aksidentit, ishte një shtetas i Armenisë. Në lidhje me këtë fakt Duma Shtetërore e Rusisë ka ndërmend t’i obligojë të gjithë automoblistët emigrantë të marrin patentën ruse të shoferit.

Dhjetra të lënduar vazhdojnë të mbeten akoma në spitale. Në mesin e të dëmtuarve është edhe shoferi i kamionit. Atij i është paraqitur aktakuza dhe me të po merren tani hetuesit. Më 13 korrik kamioni, në timonin e të cilit ishte shtetasi 46-vjeçar armen Graçia Harutunjan, u përplas dhe, në kuptimin e plotë të fjalës, e ndau në sy pjesë autobusin uran të linjës plot me pasagjerë. Ai injoroi shenjën që udhëzonte hapjen e rrugës automjetit tjetër. Shoferi i kamionit për vdekjen e 18 njerëzve do të përballet me dënimin deri në shtatë vjet heqje lirie. Gjendjen e Graçia Harutunjan mjekët e konsiderojnë si të kënaqshme, çka lejoi marrjen e tij në pyetje. Harutunjan është ndaluar dhe gjobitur edhe më parë për shkelje të rënda të rregullave të trafikut, por për këtë ai nuk është gjykuar asnjëherë në mënyrë rigoroze, të rëndë. Shoferi, shtetas i huaj, nuk kishte madje as patentë ruse. Ndërsa vetë kamioni që në pranverë ishte hequr nga regjistri dhe qarkullonte me targa tranziti.

Aksidenti i tmerrshëm në territorin e Moskës së Re i detyroi deputetët e Dumës Shtetërore të mendojnë për futjen sa më të shpejtë të rregullave të reja për shoferët e ardhur nga vende të tjera në Rusi. Parlamentarët rusë duan të përshpejtojnë hyrjen në fuqi të ligjit, sipas të cilit automobilistët e huaj duhet të rijapin provimet mbi njohuritë e rregullave të qarkullimit rrugor dhe të demonstrojnë para komisionit aftësinë për të drejtuar (ngarë) makinën. Ata nuk do të lejohen më të udhëtojnë me automjet në territorin e Rusisë pa patentë ruse, deklaroi për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” Nënkryetari i parë i Komitetit të Dumës Shtetërore për Transportin, Mihaill Brjaçak:

- Ligji obligon personat, të cilët kanë ardhur nga jashtë në Rusi dhe janë të punësuar mbi një bazë të përhershme si shoferë në territorin e saj, të jenë të pajisur me patentë shoferi të modelit rus. Kjo do të thotë se punëdhënësi nuk mund të punësojë shoferë nëse ata nuk kanë një patentë të tillë. Të gjitha shërbimet e kontrollit, që garantojnë sigurinë e trafikut rrugor, do të kërkojë pikërisht paraqitjen e një patente (licence) të këtij modeli. Një ligj i tillë u miratua që në maj, por do të hyjë në fuqi ai brenda një viti. Në fillim të sesionit të vjeshtës ne kemi ndërmend të ngrejmë çështjen e hyrjes së menjëhershme në fuqi të këtij ligji.

Të dielën në të gjitha kishat e tempujt e kryeqytetit rus dhe qarkut të tij u mbajtën shërbesa përshpirtjeje për viktimat e aksidentit. Ndërsa në udhëkryqin, ku dy ditë më parë në mes të rrugës të zinte syri grumbuj metali të deformuar e të nxirë dhe zhavorr të shpërndarë sa andej këtej, tani lartësohen pirgje me lule, lodra fëmijësh dhe qirinj të ndezur. Këtu vijnë të afërmit e atyre që gjetën vdekjen aksidentalisht dhe personave të lëndur, si dhe thjesht njerëz të cilët bashkëpërjetojnë me ta hidhërimin e humbjeve të parikuperueshme të njerëzve më të dashur.