Në mëngjes u zhvilluan garat finalet në distancat 1000 metra në disiplinën e vozitjes (kanotazhit) me kanoe dhe kajak. Viktor Mellantiev dhe Ilia Pervuhin fituan medaljen e artë në vozitjen me kanoe-dyvendëshe, ndërsa më pas ata i mbështeti ekipi i katërshes në vozitjen me kajak i përbërë nga Oleg Zhestkov, Aleksei Vostrikov, Maksim Spesivcev dhe Nikollai Çervov. Këto u bënë tashmë respektivisht medaljet e 94 dhe 95 të arit të skuadrës përfaqësuese të Rusisë në Universiadë.

Lajme të gëzuara për tifozët rusë erdhën edhe nga "Tatneft-Arena", kur erdhi koha e ndeshjeve finale në disiplinën e sambos. Nga gjashtë kategoritë e peshës në katër prej tyre kryesuan mundësit rusë. Kampionë u bënë në këtë lloj sporti Helena Bondarjova, Jana Kostenko, Denis Davidov dhe Pavell Rumjancev. Pikërisht Pavell Rumjancev i solli Rusisë medaljen e 100-të të artë të Universiadës.

Ndërsa zhvilloheshin këto gara mundjeje, ekipi rus i femrave në përbërjen e të cilit hyjnë Albina Shakirova, Nadiezhda Konovallova dhe Anastasia Krahmaljeva fitoi medaljen e artë në kualifikimin (renditje) ekipor në qitjen në tabelë (stendë) në ushtrimin skeet.

Medaljen e artë të 101-të e fitoi Julia Efimova, e cila doli fitimtare në garën e notit 200 metra në stilin bretkosë. Gjashtë minuta më vonë i shtoi edhe tjetër medalje ari totalit të skuadrës përfaqësuese të Rusisë Vladimir Morozov. Ai fitoi në një rivalitet të fortë sportiv ndaj bashkatdhetarit të vet Nikita Llobincev, duke arritur megjithatë i pari në finish në garën e notit 100 metra stil i lirë dhe e spostoi atë në vendin e dytë të piedestalit të nderit. Nikita Llobincev u bë medalist i argjendtë.

Lista e llojeve të sporteve, në të cilat të zotët e shtëpisë të Universiadës fituan medalje të argjendta dhe bronzi gjithashtu u zgjerua në mënyrë të dukshme. Përveç vozitjes (kanotazhit) me kanoe, kajak dhe sambo-s, mund të përmendim edhe pingpongun (dy medalje bronzi dhe një argjendi), hokejin në bar (ekipi i femrave i Rusisë humbi ndeshjen finale me koreanet, duke fituar kështu medaljen e argjendtë). Volejbollistët rusë, duke mundur në mënyrë bindëse në 4 sete e lojës japonezët, arritën të dalin në finale. Basketbollistët e ekipit arritën t’i çajnë rrugën vetes deri në gjysmëfinale, duke mposhtur rivalët e tyre nga Rumania. Ekipi i waterpolit i femrave doli në finale duke shpartalluar italianet me rezultatin e thellë - 14:07.

I deziluzionuan shumë sportëdashësit rusë futbollistët. Në gjysmëfinalen e Universiadës ata luajtën me ekipin e Britanisë së Madhe dhe madje arritën të shënojnë të parët golin në portën e kundërshtarit. Por rusët u relaksuan si shumë shpejt dhe lanë t’u kalojë në portë një gol fare i thjeshtë: tre lojtarë qëndronin pranë futbollistit, i cili shënoi me kokë golin e barazimit, dhe askush prej tyre nuk mundi ta pengojë dot atë. Në serinë e gjuajtjeve të penalltive lojtari më me përvojë i ekipit rus Djadjun e dërgoi topin mbi traversën e portës, kurse britanikët të gjitha pesë goditjet nga pika e 11-metërshit i përfunduan në portën e kundërshtarit. Tani rusët do të duhet të luajnë për vendin e tretë me ekipin e Japonisë.

Të hënën në Universiadë do të zhvillohet rivaliteti sportiv për 56 komplete të medaljeve, dhe pothuajse një e treta e tyre - 18 - në vozitjen (kanotazhin) me kanoe dhe kajak.