Misioni "EkzoMars" fillimisht u konceptua si evropiano-amerikan: NASA premtoi të sigurojë 2 raketa "Atlas 5". Por në vjeshtë të vitit 2011 u bë e qartë se me raketat do të lindin vështirësi. Atëhere Agjencia Hapësinore Evropiane (ESA) ka ftuar të përfshihet në "EkzoMars" Rusinë si një pjesëmarrëse të tretë. Shumë shpejt pas kësaj NASA e braktisi krejtësisht projektin, meqenëse ajo ishte e zënë tashmë me përgatitjen e robotit eksplorues të Marsit - Mars Rover “Curiosity”. Rusia deklaroi se do të bashkohet me misionin dhe do të vërë në dispozicion të tij raketëmbajtëset e veta "Proton" vetëm nëqoftëse do të ketë ketë një program të përbashkët kërkimor ruso-evropian. Kushti i saj u pranua, thotë Drejtori i Institutit të Kërkimeve Kozmike të Akademisë së Shkencave të Rusisë Lev Zeljonij:

- Në vitin 2016 pjesëmarrja e Rusisë në projektin e sipërpërmendur reduktohet me vënien në dispozicion të raketëmbajtëses së saj "Proton" dhe zhvillimin e instrumenteve për aparatin orbital “Trace Gas Orbiter”. Ai do të merret me eksplorimin e gjurmëve të gazeve në atmosferën e Marsit. Në këtë aparat do të instalohen dy komplekse të pajisjeve ruse.

“Trace Gas Orbiter” do të përpilojë hartën e pikave, nga ku prej thellësive të planetit dalin në atmosferë gazet. Atje me probabilitet të madh mund të gjenden gjurmë të mikroorganizmave hipotetike, prandaj një hartë e tillë do të ndihmojë në përzgjedhjen e vendit të uljes së aparateve kozmike në fazën e dytë të realizimit të projektit "EkzoMars". Etapa me startin në vitin 2018 është shumë më e komplikuar, vazhdon më tej Lev Zeljonij:

- Në vitin 2018 Rusia sërish vë në dispozicion raketëmbajtësen "Proton". Përveç kësaj, pala ruse konstrukton platformën e uljes, e cila do të sjellë në sipërfaqen e planetit robotin eksplorues të Marsit - Mars Rover. Në këtë platformë do të instalohet një kompleks pajisjesh shkencore ruse të projektuara për studimin e tokës dhe atmosferës së Planetit të Kuq. Ne do ta ulim me shumë kujdes, butësisht Mars Rover-in dhe më pas do të vazhdojmë të punojmë për realizimin e programit tonë (rus).

Eksperienca e projektit "EkzoMars" si dhe misionet ruse, të planifikuara për vitet 2015-2016 në Hënë, do të zvogëlojnë probabilitetin e dështimit të misionit të ri (përsëritës) në satelitin e Marsit - Phobos. Në fillim të vitit 2012 në Oqeanin Paqësor ra stacioni kërkimoro-shkencor rus "Phobos-Grunt" dhe misteri i satelitit Phobos mbeti i pazbuluar. Në veçanti, nuk po rreshtin debatet rreth asaj se çfarë lloj trupi qiellor përfaqëson në vetvete ai. Versionin e lehtësuar të "Phobos-Grunt" Rusia shpreson ta lëshojë në vitet 2022-2025.