Galeria fotografike

Në urdhërin e vet për mësymjen në drejtim të Kurskut Hitleri konfirmonte: "Fitorja destinohet të forcojë në mbarë botën besimin se çdo rezistencë ndaj trupave gjermane është krejtësisht e kotë”. Por, që në ditët e para të Betejës së Kurskut, armada e tankeve e Wehrmacht-it u ballafaqua me një mbrojtje të planifikuar e të menduar fort mirë. Në këtë situatë Feldmarschall Manstein ndërmorri përpjekjen e dëshpëruar për thyer mbrojtjen në zonën e stacionit hekurudhor Prohorovka. Tregon Drejtori shkencor i Shoqatës Historiko- Ushtarake ruse Mihaill Mjagkov:

- Kjo qe përpjekja e fundit e komandës së Hitlerit për të ndryshuar rrjedhën e luftës në favor të vet. Pjesëmarrësi kryesor i kësaj beteje u bë Korpusi i 2-të i blindave i Gjeneralit gjerman Hauser, i cili përfshinte disa njësi shumë serioze të bashkuara tankesh të SS. Gjithsej gati 500 tanke. Nga këto rreth 50 ishin tanke të rënda "Tiger".

Komanda sovjetike vendosi të ndërmarrë ndaj këtij Korpusi tankist një kundërofensivë pikërisht në Prohorovka. Në mëngjesin e 12 korrikut tanket sovjetike filluan sulmin. Por nëse tanket "T-34" mund ta çanin blindën anësore të "Tigrave" vetëm nga një distancë prej jo më shumë se 500 metra, "Tigrat" e shponin armaturën mbrojtëse të "T-34" nga një distancë prej 1.5 kilometra. Në kundërsulmin ballor ushtarët sovjetikë me tanket e përfshirë nga gjuhët e flakëve çanin përpara për të ndaluar me çmimin e jetës së tyre avancimin e armikut, vazhdon Mihaill Mjagkov:

- Në këtë betejë trupat sovjetike humbën një numër shumë të madh tankesh - 500 nga 800 disponues. Kjo shifër është rreth 60 për qind. Ndërsa gjermanët kanë humbur 300 tanke nga 400, që përbën 75 për qind. Për ta kjo ishte një katastrofë e vërtetë.

Në vitet e fundit janë publikuar mjaft artikuj në të cilët historianët, duke përdorur metoda të ndryshme llogaritjeje, paraqesin shifrat e tyre të humbjeve në betejën në fushën e Prohorovka. Ndonjëherë kalkulimet e tyre duken krejtësisht absurde, meqenëse bëhet fare e paqartë përse pas kësaj beteje forcat gjermane e humbën plotësisht iniciativën dhe nisi ofensiva e Ushtrisë së Kuqe, vë në dukje Drejtor shkencor i Qendrës ruse të historisë së luftërave dhe gjeopolitikës, Oleg Rzheshevskij:

- Më parë ka patur vend tendenca për të niveluar rolin e betejës nën Prohorovka. Por tashmë ajo nuk ekziston më dhe beteja vlerësohet si një prej më vendimtareve, madje fatpërcaktuese, në historinë e Betejës së Kurskut.