Një rivalitet mjaft interesant sportiv pati vend në podiumin e sallës së peshëngritjes “Ak Bure”. Në konkurrencën e femrave në kategorinë e peshës deri në 75 kg sportistja ruse me shumë përvojë Nadiezhda Evstjuhina ia la vendin më të lartë të piedestalit të nderit peshëngritëses 19-vjeçare Olga Zubova nga qyteti periferik Klin i Moskës. Të dyja këto sportiste janë pjesëmarrëse të turneve të mëdha ndërkombëtare dhe fituese të medaljeve të arta në to. Por kjo ishte hera e parë që ato rivalizuan me njëra-tjetrën në një nivel të tillë kaq të lartë të konkurrencës dhe fitorja ndaj lideres (Nadiezhda Evstjuhina) të ekipit kombëtar rus është shumë e rëndësishme për peshëngritësen e re Olga Zubova.

Në konkurrencën e kategorisë së peshës deri në 85 kg për meshkuj nuk pati asnjë surprizë. Edhe pse peshëngritësi i ri Artiom Okullov nga Zelenodolsku, i cili ndodhet jo larg Kazanit, kishte një dëshirë jashtëzakonisht të madhe që të fitonte “në shtëpinë e vet”, ai u detyrua të mjaftohet me medaljen e argjendtë të Universiadës. Ndërsa e meritoi medaljen e artë medalisti i argjendtë i Lojrave Olimpike të Londrës, Apti Auhadov. Nuk i la asnjë shans për fitore rivaleve të veta në kategorinë e peshës mbi 75 kg Tatiana Kashirina.

Të enjten u zhvilluan garat sportive për 4 medaljet e para të turneut të mundjes në stil të lirë. Medaljet e arta u fituan në të nga Narman Israpillov dhe Magomed Kurbanalijev. Ata përfaqësuan Rusinë në kategoritë e peshave më të lehta. Nuk e kanë thyer traditën e Universiadës - nga një medalje ari në ditë - mjeshtret ruse të disiplinës sportive të skermës. Inna Derigllazova, Larisa Korobeinikova, Diana Jakovljeva dhe Julia Birjukova u bënë kampione të Universiadës në kualifikim ekipor të turneut të femrave rapjeriste. Ilgizar Safiulin, Irina Tarasova, Tatiana Çernova dhe Ekaterina Konjeva vazhduan traditat e fitimtarëve rusë në turneun e atletikës së lehtë të Universiadës në Kazan. Ilgizar Safiulin fitoi në garën e vrapimit 3000 metra me pengesa. Irina Tarasova hodhi më larg se gjithë rivalet e saj gjylen, Tatiana Çernova doli e para në shtatëgarësh, ndërsa Ekaterina Konjeva rezultoi atletja më e mirë në disiplinën e kërcimit tre hapësh.

Medaljet e para (argjendi dhe bronzi) i fituan të enjten badmintonistet ruse. Vladimir Ivanov dhe Ivan Sozonov u bënë medalistë të argjendtë në kategorinë dyshe meshkuj. Kurse Vladimir Ivanov dhe Nina Visllova fituan medaljen e bronzit në kategorinë dyshe të përziera.

Në disiplinën e hedhjeve (kërcimeve) në ujë nga trampolina Artiom Çesakov dhe Viktor Minibajev u bënë fitues të medaljeve të argjendta në kërcimet e sinkronizuara nga trampolina.