Kryeqyteti i rajonit të Uraleve pret "Innoprom" tashmë për të katërtin vit radhazi. Gjatë kësaj kohe ekspozita është shndërruar nga një aktivitet i madh rajonal në një nga evenimentet më kryesore të jetës së biznesit të Rusisë.

Këtë vit në ekspozitën në fjalë do të marrin pjesë më shumë se 500 kompani. Ato përfaqësojnë të gjitha fushat e industrisë globale: energjetikën, sferën e prodhimit të naftës dhe gazit, atë të ndërtimit, nanoteknologjive, telekomunikacioneve, mjekësisë, kursimit të energjisë, industrinë e makinandërtimit.

Tema qendrore e "Innoprom" është formuluar nga organizatorët si vijon: "Industria globale: strategjitë dhe rreziqet". Përfaqësuesit e biznesit dhe ekspertët janë të ftuar për të diskutuar çështjet e ngadalësimit të rritjes globale industriale si dhe për të projektuar strategjitë për zhvillimin e mëtejshëm, tregoi për Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" Drejtori i programit të biznesit të Ekspozitës Ndërkombëtare Industriale "Innoprom 2013" Anton Atrashkin:

- Ky ngadalësim në rritjen e ekonomisë është prezent edhe në Evropë, edhe në Azi, edhe në Amerikë. Prandaj ka ardhur koha për të folur në lidhje me strategjitë globale. Domethënë për strategjitë që duhet të zhvillojë i gjithë komuniteti industrial botëror. Strategjitë që do të punojnë për të gjitha vendet dhe ekonomitë. Kjo është arsyeja përse ne kemi zgjedhur pikërisht këtë temë.

Në kuadër të "Innoprom" do të organizohet një simpozium ndërkombëtar kushtuar aplikimit të Ekaterinburgut për të pritur Ekspozitën Universale - Expo 2020. Votimi për zgjedhjen e kryeqytetit të Expo 2020 do të mbahet në nëntor të këtij viti në Paris, gjatë kohës së zhvillimit të Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Ndërkombëtare të Ekspozitave.

Për Ekaterinburgun "Innoprom" është edhe një mundësi tjetër për të demonstruar aftësitë e pritjes dhe organizimit të aktiviteteve të mëdha në shkallë ndërkombëtare. Kryeqyteti i Uraleve ka ndërmend t’i habisë mysafirët e ekspozitës me stendën më të spikatur, më mbresëlënëse, më interesante dhe më ambicioze, i tha "Zërit të Rusisë" Nënkryetari i administratës së qytetit të Ekaterinburgut, Sergei Tushin:

- Expo është një nga idetë kryesore, madje kyçe, që do të paraqiten në një sërë stendash. Në to të gjithë do të kenë mundësi të shohin se si do të ndryshojë qyteti, çfarë do të përfitojnë banorët e tij nga vetë fakti i zhvillimit të Expo 2020 në Ekaterinburg. Ne të gjithë presim me ankth momentin e zgjedhjes dhe duam me gjithë shpirt që Rusia dhe qyteti i Ekaterinburgut të fitojnë të drejtën për të organizuar ekspozitën "Expo 2020".

Organizatorët e "Innoprom" presin që në kuadër të ekspozitës aktuale të nënshkruhen marrëveshje të mëdha. Vitin e kaluar u nënshkruan 34 marrëveshje afatgjata për një vlerë totale prej më shumë se 6 miliardë $.