Para largimit për në atdhe Zonja Ambasadore i dha një intervistë Radiokompanisë "Zëri i Rusisë", në të cilën tregoi për gazsjellësin “South Stream” ("Rryma Jugore", heqjen e vizave dhe profesionin e diplomatit.

Si e vlerësoni ju gjendjen aktuale të marrëdhënieve slloveno-ruse?

- Kjo është një pyetje e lehtë dhe e ndërlikuar njëkohësisht. E komplikuar është për vetë faktin se avancimi i mëtejshëm paraqitet i vështirë: ne tashmë kemi arritur nivelin më të lartë të marrëdhënieve në të gjitha sferat. Gjërat më kryesore janë forcimi në vijim i bashkëpunimit ekonomik, rritja e qarkullimit tregtar. Në vitin e kaluar ne kemi arritur një nivel rekord të tij. Ne besojmë se këto marrëdhënie janë me rëndësi strategjike dhe shpresojmë shumë se ato do të mbeten të tilla edhe në të ardhmen. Një nga elementet më të rëndësishme të marrëdhënieve tona ekonomike është sot gazsjellësi "South Stream": nëpërmjet territorit të Sllovenisë ai do të kalojë më tej për në Perëndim. Ndërmarrjet tona janë duke u përgatitur për ardhjen e këtij tubacioni dhe çdo gjë po shkon sipas planit.

Si e shihni ju perspektivën e lehtësimit të regjimit të vizave midis Rusisë dhe BE-së, deri në anulimit të plotë të tij?

- Se kur do të ndodhë kjo, unë nuk e di. Por udhëheqja e Federatës Ruse dhe ajo e Bashkimit Evropian janë duke negociuar tani dhe unë shpresoj se ato do të arrijnë të merren vesh. Sllovenia e mbështet heqjen e vizave, gjë për të cilën në mënyrë të përsëritur kanë deklaruar politikanët tanë. Ne në nivel Ambasade përpiqemi të veprojmë në mënyrë pragmatike, duke dhënë viza për një periudhë më të gjatë kohore se sa na autorizojnë. Ne shpesh herë japin viza me shumë hyrje (multi), sepse me një herë është e pamundur të shikohet gjithçka, ndërsa ne do të dëshironim që rusët të vizitonin sërisht e sërish vendin tonë. Ne jemi treguar të vëmendshëm jo vetëm ndaj turistëve, por edhe ndaj studentëve në mënyrë që ata ta kenë më të lehtë marrjen e vizës. Udhëtimi pa viza do të ishte shumë i mirë edhe për komunitetin e biznesit.

Ju vetë flisni shumë mirë rusisht. Po sllovenët e gjeneratës së re gjithashtu komunikojnë po kaq lirisht në gjuhën ruse?

- Jo, edhe pse tani në shumë shkolla të mesme në Slloveni vërehet një interes i madh ndaj gjuhës ruse. Gjuhë e parë e huaj në shkollat e vendit është anglishtja, pastaj, në varësi të rajonit, italishtja ose gjermanishtja. Por unë jam në dijeni të ekzistencës së disa gjimnazeve, ku si një gjuhë e tretë jepet rusishtja. Vitin e kaluar në Rusi kanë ardhur për të vazhduar studimet e larta disa ish nxënës të dy shkollave të mesme sllovene.

Besohet se stili femëror i drejtimit është i ndryshëm nga ai mashkullor. A lejon sot detyra e ambasadores mundësinë për të shfaqur pikërisht qasjen femërore në profesion?

- Unë nuk mendoj se qasja është e ndryshme. Unë personalisht, ndoshta, me punonjësit e mi sillem më butë, u jap atyre shumë liri, por nga ana tjetër në këtë mënyrë rritet niveli i tyre i përgjegjësisë. Unë mendoj se kjo është e rëndësishme për karrierën e tyre të ardhshme diplomatike.