Vizita e Titus Corlatean në Moskë përkoi në kohë me një datë të rëndësishme - 10-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes themelore midis dy vendeve. Vjeshta e këtij viti do të shënojë edhe një datë tjetër të rëndësishme - 135 vjet që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Në këtë mënyrë në takimin në Moskë jo vetëm që u nxorrën përfundimet e zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe, por, çka është më e rëndësishmja, u fol mbi perspektivat e bashkëpunimit.

Në bisedimet e zhvilluara të dy ministrat deklaruan në mënyrë të përsëritur mbi fillimin e një etape të re në marrëdhëniet midis vendeve. Pak më shumë se një vit më parë pakkush ishte i predispozuar për të folur mbi ndonjë axhendë të re pozitive në marrëdhëniet mes Moskës dhe Bukureshtit. Qeveria e re rumune është e gatshme për dialog dhe Rusia e mirëpret këtë, deklaroi Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov:

- Ne synojmë për të kapërcyer periudhën e një amullie, stagnimi të caktuar, e cila ka patur vend në marrëdhëniet tona në vitet e fundit, dhe për të avancuar përpara në shumë fusha ku ne kemi potencial për realizimin e projekteve reciprokisht të dobishme e të leverdisshme dhe për aktivizimin e dialogut politik. Ne ndjejmë disponibilitetin pikërisht për një punë të tillë nga ana e udhëheqjes aktuale të Rumanisë. Dhe i përgjigjemi në të njëjtën mënyrë asaj.

Sipas mendimit të disa vëzhguesve, deri në vitin 2012 marrëdhëniet midis Moskës dhe Bukureshtit arritën në pikën më të ulët të zhvillimit. Arsyeja kryesore - politika e Rumanisë kundrejt Moldavisë. Presidenti Traian Basesku ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se bashkimi i dy vendeve është një çështje principiale dhe se vetë bashkimi duhet të ndodhë në 25 vitet e ardhshme. Ndërsa Moska këmbëngul për neutralitetin e plotë shtetëror të Kishinaut (Chisinau). Në takimin e së martës Ministri i Jashtëm rus vuri në dukje si vijon: ngrohja e marrëdhënieve nuk dëshmon aspak për ndonjë ndryshim të qëndrimit të Moskës ndaj këtij problemi. Megjithatë edhe qasja e Bukureshtit, duhet thënë, është bërë më konstruktive:

- Homologu im rumun ka theksuar më herët: e ardhmja e Republikës së Moldavisë duhet të përcaktohet nga zgjedhja e lirë e vetë popullit moldav. Dhe Rumania do ta respektojë këtë zgjedhje. Ky është i njëjti qëndrim që ndan edhe Rusia.

Sergei Lavrov dhe Titus Corlatean diskutuan gjithashtu në Moskë edhe bashkëveprimin në kuadër të BE-së dhe NATO-s. Në territorin e Rumanisë do të vendosen elementet e mbrojtjes antiraket (MAR) në fazën e dytë të dislokimit të këtij sistemi. Uashingtoni ka deklaruar vazhdimisht se të gjitha shqetësimet në lidhje me këtë fakt janë krejtësisht të kota, sistemi nuk do të drejtohet kundër Rusisë. Megjithatë garanci ligjërisht të detyrueshme për zbatim pala amerikane refuzon të ofrojë për këtë. Në Moskë, sipas fjalëve të Ministrit rumun Corlatean, të gjitha këto çështje u diskutuan në mënyrë konstruktive. Por, sipas shprehjes së Lavrov, çështja mbetet e hapur:

- Ne shkëmbyem pikëpamjet tona në lidhje me rrugët dhe mënyrat e përsosjes së sistemit të garantimit të stabilitetit dhe sigurisë në Evropë, përmendëm, natyrisht, edhe tematikën e mbrojtjes antiraket. Kjo është një nga çështjet që ka mbetur deri tani e pazgjidhur në marrëdhëniet tona me NATO-n. Por konsultimet për këtë po vazhdojnë.