Idealisht "harta rrugore" destinohet të ndihmojë Egjiptin për të përballuar sëmundjet e brendshme. Problemi i vetëm është se për realizimin e të gjitha pikave të parashikuara në këtë "hartë" mungon në mënyrë katastrofike koha.

Opozita, e përfaqësuar nga organizata islamike egjiptiane "Vëllazëria Myslimane", tashmë u ka bërë thirrje haptazi mbështetësve të vet për kryengritje dhe për lirimin e Presidentit të arrestuar Mohammed Mursi. Madje më tepër se kaq, "Vëllazëria" kanë thirrur në ndihmë shokët e saj të ideve nga grupet më radikale islamike në rajon. Sipas njoftimeve të gazetave egjiptiane dhe perëndimore, në vend tashmë veprojnë militantët islamikë nga Siria, ku ekziston një degë aktive e organizatës "Vëllazëria Myslimane". Me dënimin e ashpër të qeverisë së re egjiptiane doli grupi radikal palestinez "Hamas". Në përgjithësi, puna po shkon drejt internacionalizimit të konfliktit dhe shndërrimit të mundshëm të Egjiptit në një Siri dytë, ku kundër qeverisë dhe ushtrisë do të luftojnë grupe të mercenarëve të huaj.

Vërtetë, jo të gjitha figurat e autoritetshme politike të vendit janë të prirura për të ndarë parashikime të tilla kaq të zymta, madje të tmerrshme. Kryetari i Partisë Progresive Kombëtare (unioniste) të Egjiptit, Said Abd al-Al, tha në një intervistë me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" se "Vëllazëria Myslimane" e ka diskredituar tërësisht veten:

- Unë pres që mbas disfatës së "Vëllazërisë Myslimane" në Egjipt të pasojë dështimi i këtij projekti edhe në shtete të tjera arabe. Ndër të tjera në Siri, Palestinë, Irak, si dhe në të gjitha vendet ku "Vëllazëria Myslimane" me mbështetjen e agjencive perëndimore të inteligjencës ka arritur në të kaluarën të krijojë avanpostet e veta.

Kurse eksperti rus për Lindjen e Mesme, Sergei Demidenko, beson se islamikët radikalë në Egjipt i mbështesin, në radhë të parë, Arabia Saudite dhe Katari. Dhe kjo është një mbështetje mëse e fuqishme, duhet thënë:

- I gjithë problemi konsiston në faktin se përmbysja e Mohammed Mursi nuk do të thotë aspak dështim apo mposhtje e Islamit radikal. Nuk dihet ende se çfarë është më mirë - "Vëllazëria Myslimane" relativisht e moderuar, e cila që prej një kohë të gjatë është distancuar nga pozitat radikale, apo partitë konservatore egjiptiane të tipit "Al-Nur".

Me Deklaratën e re Kushtetuese Adly Mansur i atribuoi vetes iniciativën legjislative. Ai ka të drejtë të botojë çdo ligj që dëshiron pas konsultimeve me qeverinë dhe ushtrinë. Kjo e fundit shprehet shumë e vendosur në veprimet e veta. Njësitë e ushtrisë që nga 9 korriku kanë marrë nën kontroll të rreptë të gjitha objektet strategjike në Kajro dhe në gjithë rajonet e tjera të vendit.