Medaljen e parë të artë të Universiadës së XXVII Verore në Kazan e fitoi Samantha Mills nga Australia. Ajo doli e para në garat e disiplinës sportive të hedhjeve (kërcimeve) në ujë nga trampolina 1-metërshe. Kurse medaljen e parë të arit për Rusinë e siguroi Eugjeni Kuznjecov (Evgeny Kuznetsov), i cili doli fitues në disiplinën sportive të hedhjeve (kërcimeve) në ujë nga trampolina tre metërshe. Kampioni olimpik rus Ilia Zaharov (Ilya Zakharov) bëri një gabim në kërcimin e katërt të serisë finale, çka i kushtoi atij humbjen e medaljes. Niveli i përgatitjes së pjesëmarrësve të Universiadës është i tillë, saqë edhe kampioni olimpik nuk ka të drejtë madje as për gabimin më të vogël. Deri para hedhjes së fundit Ilia ishte lider i garave. Por Kuznecov demonstroi shpirtin e vërtetë luftarak dhe ekzekutoi në mënyrë mjaft të saktë kërcimet përfundimtare nga trampolina. "Ai duhej të kishte realizuar në nivelin më të lartë kërcimin e fundit, sepse Ilia është një sportist shumë i fortë, me të cilin është fort e vështirë të masësh forcat", - ndau me mediat përshtypjet e veta fituesi Eugjeni Kuznjecov.

Në përgjithësi, të dielën u zhvilluan garat sportive për 27 komplete medaljesh. Menjëherë 3 medalje ari i sollën skuadrës përfaqësuese të Rusisë në disiplinën sportive mundje rripi (belt wrestling). Ky lloj sporti hyri për herë të parë këtë vit në programin e Lojrave Botërore Studentore. Skuadra përfaqësuese ruse e gjimnastikës sportive për femra fitoi kampionatin në rang ekipor. Në disiplinën e atletikës së lehtë Rusia ka siguruar tre medalje të vlerave të ndryshme: Aleksandër Lesnoj (Alexander Lesnoy) dhe Valeri Kokojev (Valery Kokoyev) fituan respektivisht medaljen e arit dhe medaljen e bronzit në hedhjen e gjyles. Alina Prokopieva zuri vendin e dytë në garën e vrapimit 10.000 metra.

Në disiplinën e skermës me saber (lufta me shpata) medaljen e arit e fitoi Kamil Ibragimov, kurse shoku i tij i grupit Benjamin Reshetnikov (Resetnicov) atë të bronzit.

Medalist i argjendtë në rivalitetin sportiv në disiplinën e xhudosë në kategorinë e peshës deri në 100 kg u bë Zafar Mahmadov (Makhmadov). Ai doli fitues në ndeshjen çerekfinale ndaj mjeshtrit të fortë të xhudosë nga Japonia, në gjysmëfinale mundi medalistin e bronztë nga Brazili, kurse në finale nuk arriti të triumfojë dot ndaj xhudistit çek Lukáš Krpálek.

Medaljet e bronzit i fituan të dielën në Universiadë mundësit Renat Saidov dhe Marina Shekerova, sportistët e disiplinës mundje rripi (belt wrestling) Gabduzhalill Sulejmanov (Gabduzhalil Suleymanov) dhe Arsen Tokov. Medalistë bronzi u bënë gjithashtu katërshja e meshkujve pa timonier dhe dyshja e femrave në kategorinë e peshës së lehtë në kanotazh (ndryshe disiplina e vozitjes akademike).

Rusët kanë siguruar gjithsej deri tani 17 medalje, prej të cilave 7 janë ari. Në vendin e dytë pozicionohen sportistët nga Koreja e Jugut, ata kanë 3 medalje ari. Kurse në vendin e tretë renditet ekipi përfaqësues i Kinës me dy medalje të arta.