Ky vendim erdhi si përgjigje ndaj hapjes së zjarrit me armë sot në mëngjes mbi demonstruesit përkrahës të Presidentit të rrëzuar nga pushteti Mohammed Mursi, si rezultat i të cilit gjetën vdekjen rreth 30 persona. Ushtarakët thonë se ata u detyruan të hapin zjarr pasi persona të panjohur sulmuan kazermat e Gardës Republikane në Kajro.

"Al-Nur" është partia e dytë radikale islamike (selefiste), përkatësisht ndikimit dhe autoritetit të vet në vend, pas "Partia e Lirisë dhe e Drejtësisë", nga e cila kandidoi për president Mohammed Mursi. Deri më sot ajo ka mbështetur ushtrinë egjiptiane. Ndërsa tani, në fakt, "Vëllazëria Myslimane" ka fituar një aleate të re, kurse Egjipti ka bërë automatikisht edhe një hap përpara në drejtim të luftës civile.

Disa analistë egjiptianë shprehen me bindje se situata është ende e mundur për t’u korrigjuar. Të tjerë besojnë se zhvillimi i situatës po merr një kthesë shumë të rrezikshme. Një mendimi të tillë i përmbahet edhe analisti politik egjiptian, Dr. Abbas Kunfuda:

- Ekziston rreziku i vendosjes së anarkisë përfundimisht në Egjipt dhe ndryshimit të qeverisë jo në përputhje me parimet kushtetuese, por si tani, në Sheshin Tahrir. Arsyeja për një skenar të tillë të zhvillimit të ngjarjeve në vend qëndron në mungesën e konsiderueshme, faktike, të traditave demokratike në botën arabe. Egjipti u ndodh në një qorrsokak politik. Mos harrojmë edhe një tjetër tipar dallues të demokracisë arabe, ky është përforcimi i qenësishëm i pozitave të terroristëve.

Ndërkohë vala e trazirave ka filluar të përhapet me shpejtësi në zonat turistike të Egjiptit. Për të gjithë turistët muzetë, monumentet kulturore e historike të Kajros nuk janë më të disponueshme. Përleshjet filluan në Luxor, Hurghada dhe Sharm el-Sheikh.

Industria e turizmit në vend sapo filloi të marrë veten nga pasojat e revolucionit të vitit 2011. Fitimet nga turizmi në Egjipt janë në të njëjtin nivel, pra të barazvlefshme, me të ardhurat e përftuara prej eksporteve të naftës dhe pagesat e marra për përdorimin e Kanalit të Suezit. Raundi i radhës i krizës i kërcënon ato me një reduktim të ri të theksuar dhe me kolaps të pashmangshëm ekonomik.

Ndërkohë, agjencitë analitike financiare globale paralajmërojnë se ekonomia egjiptiane tashmë ndodhet në buzë të greminës dhe se asaj i mbeten jo më shumë se gjashtë muaj jetë. Deri në fund të vitit 2013 Egjiptit i nevojiten domosdoshmërisht 33 miliardë $ për të paguar borxhet e brendshme dhe të jashtme, ndërkohë që rezervat valutore të vendit janë reduktuar me pothuajse 3 herë.

Siç thonë analistët e bankës së investimeve "Merrill Lynch", shpresa e fundit për Egjiptin mbetet tani ndihma nga ana e donatorëve të pasur arabë të përfaqësuar prej Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Por monarkitë radikale islamike e ofrojnë ndihmën e vet vetëm në bazë të kushteve të mirëpërcaktuara. Ndërsa ato nuk ka të ngjarë që të mund t’i përmbushë dot pushteti laik në Egjipt.