Në Shën Petersburg më 4 korrik startoi zyrtarisht Salloni VI Ndërkombëtar i teknikës Ushtarako-Detare. Në këtë ditë për mysafirët dhe pjesëmarrësit e forumit ishte përgatitur një program i veçantë. Një nga elementët qendrorë të saj u bë performanca e grupeve të pilotazhit të lartë "Kreshnikët rusë" dhe "Strizhi" (“Русские витязи” и “Стрижи”), të cilët kanë demonstruar mjeshtërinë e tyre mbresëlënëse të pilotimit të avionëve gjuajtës (luftarakë). Kurse Zëvendës-kryeministri Dimitri Rogozin bëri publik lajmin kryesor: së shpejti në Shën Petersburg do të fillojë të mbahet mbi bazë të rregullt edhe një tjetër sallon i teknikës ushtarako-detare.

- Salloni Ndërkombëtar i teknikës Ushtarako-Detare i Shën Petersburgut po bëhet tashmë një traditë, e cila duhet zhvilluar më tej. Qeveria ruse ka miratuar disa programe që janë të lidhura jo vetëm me zhvillimin e armatimeve detare, por edhe me teknikën civile detare. Në mënyrë të veçantë për eksplorimin dhe përvetësimin e rajonit Arktik. Është planifikuar që çdo dy vjet këtu, në Shën Petersburg, të mbahet salloni i teknikës ushtarako-detare, dhe po ashtu njëherë në dy vjet, në bazë rotacioni, të zhvillohet salloni civil, salloni i teknikës civile detare.

Përsa i përket Sallonit Ndërkombëtar të teknikës Ushtarako-Detare, siç tha Dimitri Rogozin, edhe në jetën e tij janë planifikuar gjithashtu ndryshime të qenësishme. Ky forum aktualisht është përfshirë në mesin e tre ekspozitave më të prestigjshme të këtij lloji në botë. Për kapacitetin e tij të tanishëm është bërë e vogël platforma në të cilën ai është zhvilluar deri më tani - Kompleksi i Ekspozitave "Lenekspo". Herën tjetër Salloni Ndërkombëtar i teknikës Ushtarako-Detare i Shën Petersburgut do të mbahet në territorin që është caktuar për nevojat e tij, premtoi Zëvendës/kryeministri Dimitri Rogozin.

Këtë vit në Sallonin Ndërkombëtar të teknikës Ushtarako-Detare të Shën Petersburgut marrin pjesë delegacione nga 60 vende të botës. Siç vuri në dukje Zëvendës-kryeministri Dimitri Rogozin, përveç të tjerash salloni ka edhe një rëndësi shumë të madhe politike. Bashkëpunimi në sferën ushtarake është i aftë të afrojë vendet me njëri-tjetrin - sepse vetëkuptohet që zhvillimet vetiake të fushës së mbrojtjes askush nuk ka ndërmend t’ia shesë armikut. Me këtë tezë në intervistën e vet me Radiokompaninë "Zëri i Rusisë" u pajtua edhe përfaqësuesi i firmës franceze DCNS, e cila prodhon anijet e famshme të desantit të tipit "Mistral". Tani në kantieret detare në Saint-Nazaire francez dhe në Shën Petersburg po ndërtohen për Forcat Ushtarake Detare të Rusisë dy anije helikoptermbajtëse të desantit të llojit "Mistral".