Javën e kaluar, në përvjetorin e inaugurimit të Mohammed Mursi në postin e presidentit, kur në vend filluan protestat e të pakënaqurve me rezultatet e drejtimit të tij, Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura të Egjiptit ka kaluar në anën e opozitës. Ushtria dhe policia kanë marrë situatën nën kontroll.

Revolucioni Egjiptian po gllabëron fëmijët e vet

Plani i Veprimit është deklaruar si vijon: përkohësisht me kryerjen e detyrave të kryetarit të shtetit do të ngarkohet Kryetari i Gjykatës së Lartë Kushtetuese, Adly Mahmud Mansour. Dhoma e Lartë e Parlamentit do të duhet të shpërndahet. Në vend do të mbahen zgjedhjet e reja presidenciale dhe parlamentare, kurse një komision i posaçëm do të amendojë Kushtetutën. Ushtarakët kanë marrë mbi vete një detyrë shumë të vështirë, mendon eksperti orientalist rus Stanisllav Tarasov:

- Para së gjithash, para ushtarakëve shtrohet për zgjidhje detyra e krijimit të qeverisë teknokrate. Së dyti, ata duhet të përpunojnë vizionin dhe projektin e reformave. Ndërsa më pas ata duhet të fillojë zbatimin e tyre në jetë, të riorganizojnë, të shëndoshin jetën ekonomike, sepse ekonomia e Egjiptit është tani në një gjendje me të vërtetë katastrofike. Nëse ushtarakët do të jenë në gjendje për të krijuar një qeveri efektive dhe për të ndarë punët e fesë nga ato të shtetit, siç ka ndodhur kjo gjatë drejtimit të Hosni Mubarak, atëhere ekziston shansi për të shpëtuar Egjiptin.

Ndërkohë, kërcënimi i ndryshimit permanent të pushtetit nëpërmjet rrugës së revolucionit mbetet plotësisht real në Egjipt. Për të shmangur këtë skenar të vijimit të ngjarjeve në vend ushtarakët duhet të sigurojnë që gjithçka të bëhet në përputhje të plotë e të rreptë me normat e përcaktuara nga ligji, thekson orientalistja ruse Marina Sapronova:

- I gjithë ky riformatim i procesit të ndërtimit politik duhet të zhvillohet nën mbikëqyrjen e rreptë të institucioneve kushtetuese të vendit. Sepse problemi kryesor në Egjipt konsiston në vetë faktin se më parë u thyen, u shkelën pjesërisht procedurat zgjedhore. Dhe pikërisht kjo i dha arsye Gjykatës Kushtetuese për të shpërbërë fillimisht Dhomën e Ulët të Parlamentit, kurse më pas dhe për të njohur si jolegjitime Dhomën e Lartë të tij. Nëse procesi politik do të mbahet nën mbikëqyrjen e rreptë të Gjykatës Kushtetuese, atëhere askush nuk do të ketë më shkas për të thënë se strukturat e reja janë të paligjshme.

Tani ushtria po përpiqet me të gjitha mënyrat të përmbajë vendin nga gjakderdhja. Kundërshtarët e Mursi janë përfshirë nga euforia e papërmbajtur, por ndërkohë nuk duhet harruar se ai ka dhe miliona ithtarë të vet në mbarë vendin. Vetëm gjatë 24 orëve të kaluara në përleshjet mes kundërshtarëve dhe mbështetësve të Mohammed Mursi janë vrarë 32 njerëz, qindra të tjerë janë plagosur. Për të shmangur provokimet, nxitjet, ushtarakët kanë mbyllur kanalet televizive të cilët rezultojnë simpatizantë të Mursi. Janë arrestuar udhëheqësit dhe anëtarët më aktivë të organizatës "Vëllazëria Myslimane". Vetë Presidenti Mohammed Mursi, i cili ndodhet nën arrest shtëpie, refuzon të njohë si ligjore ndryshimet që po ndodhin në vend.