Baikali u zbulua jo dhe aq shumë kohë më parë - në korrik të vitit 1643. Në fronin e Moskës atëhere ishte Aleksei Mihailloviç - Cari i dytë i Dinastisë së Romanovëve, babai i Perandorit të ardhshëm Pjetri I (Pjetri i Madh). Në ato kohëra kozakët rusë, duke lëvizur në drejtim të Lindjes, zbulonin e përvetësonin hapësirat e panjohura të Siberisë. Çeta e Kurbat Ivanov-it prej 74 kozakësh nga Tobolsku arriti deri në rrjedhën e sipërme të lumit Lena, kurse më pas duke ndjekur rrugët gjarpëruese të degëve të tij ajo doli në bregun e liqenit Baikal. Për të vazhduar udhëtimin nëpër liqenin, i cili për nga madhësia e vet ngjante më shumë me një det, ata ndërtuan anije të fuqishme. Sigurisht, fiset lokale e njihnin këtë liqen, thotë bashkëpunëtori kryesor shkencor i Institutit të Historisë Ruse, Nikollai Nikitin:

- Por ne konsiderojmë zbulim atë që është bërë pronë, pasuri jo vetëm e banorëve vendas, por dhe e gjithë botës së civilizuar. Informacioni në lidhje me këtë liqen shumë shpejt u shfaq në hartat ruse, kurse më vonë dhe në ato evropianoperëndimore.

Për vetë Kurbat Ivanov-in nuk dihen dhe aq shumë gjëra. Përveç përpilimit të hartës së liqenit Baikal ai bëri edhe disa përshkrime gjeografike të rajoneve të Siberisë. Pastaj ai udhëhoqi një ekspeditë detare drejt brigjeve të Gadishullit Çukotka. Për meritat e tij ai u nderua me titullin e fisnikut. Mbi vendin e lindjes si dhe shumë detaje të tjera të biografisë së tij nuk ka ende asnjë informacion të vërtetësishëm. Për të mësuar më shumë rreth asaj se si ndodhi zbulimi i liqenit Baikal, nga Vladivostoku dhe Siktivkari drejt Baikalit u nis një grup hulumtuesish, tregon organizatori i ekspeditës, gazetari moskovit Aleksandër Orllov:

- Ne do të kalojmë nëpër ato vende, nëpër të cilat kanë lëvizur eksploruesit e parë të Siberisë. Së bashku me disa njerëz, të cilët janë të interesuar për njohjen me këtë rajon, për eksplorimin e historisë së tij, ne do të hetojmë se si është zhvilluar udhëtimi i Kurbat Ivanov-it. Do të vizitojmë të gjithë muzetë. Ne duam të mësojmë sa më shumë që të jetë e mundur mbi zbulimin e liqenit Baikal.

Ekspedita është ndërtuar mbi bazën e parimit të modelimit historik. Duke kaluar nëpër rrugët e shkelura prej Kurbat Ivanov-it hulumtuesit shpresojnë të përpilojnë hartën e saktë të fushatës së tij dhe të gjejnë fakte të reja të biografisë së udhëçelësit të parë. Në fund të korrikut të gjitha grupet e ekspeditës do të takohen në ishullin Olhon të Baikalit. Në mesin e anëtarëve të ekspeditës është edhe një kameraman. Kështu që të gjitha episodet më interesante të udhëtimit do të paraqiten më pas në një film dokumentar kushtuar Kurbat Ivanov-it.