Përpjekja e radhës për të fituar supremaci globale, kësaj here në fushën e zbulimit (inteligjencës) teknik, po shndërrohet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në probleme të mëdha. Siç sugjerohon eksperti gjerman në sferën e sigurisë kibernetike, Sandro Gaycken, incidenti me survejimin, mbikëqyrjen e politikanëve nga Bashkimi Evropian mund të bëhet një pengesë mjaft serioze në rrugën e bashkëpunimit të biznesit amerikano-evropian:

- Tani në Gjermani shumë politikanë shprehin shqetësim serioz në lidhje me çështjen se cilat janë përmasat e vërteta të mbikëqyrjes amerikane dhe, më e rëndësishmja, për çfarë qëllimi është ndërmarrë ajo. Sepse, për shembull, në rastin e BE-së nuk është plotësisht e qartë nëse spiunimi, survejimi mund t’i shërbente qëllimit të luftës kundër terrorizmit. Këtu, me sa duket nga të gjitha, kishte edhe motive të tjera - ka patur vend në mënyre mëse evidente dëshira për të ndikuar në diplomacinë evropiane, në procesin e negociatave - për shembull, survejimi i përgatitjes së marrëveshjes së ardhshme për krijimin e zonës së tregtisë së lirë në mes të SHBA-së dhe BE-së. Nëse është kështu në të vërtetë, kjo me siguri mund të komplikojë ndjeshëm marrëdhëniet BE-SHBA.

Gjatë kësaj, duhet thënë, se një reagim i tillë ishte mëse i zakonshëm, madje karakteristik, për pjesën perëndimore të komunitetit global. Në rastin me Japoninë demarshe të bujshme, kritikuese politike, sigurisht, nuk duhen pritur. Mbikëqyrja, survejimi i Tokios është vetëm një penelatë në portretin e politikës së jashtme amerikane, mendon Drejtori i Qendrës për Ekspertizat Gjeopolitike, analisti politik rus Valeri Korovin:

- Japonia realisht është një vend i okupuar, i cili u përul, u poshtërua keq nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1945 me dy bombardime bërthamore dhe që, në fakt, rezulton i uzurpuar prej tyre. Në territorin e saj janë vendosur bazat ushtarake amerikane dhe, në këtë rast, mund të flitet mbi mungesën e politikës sovrane në Japoni. Lajmi se Ambasada japoneze në Uashington përgjohet nga amerikanët, sigurisht, është fort i pakëndshëm, por në një kuptim global ai nuk është në gjendje të ushtrojë ndikim në situatën e krijuar. Kjo situatë nuk do të ndikojë në kurrfarë mënyre në marrëdhëniet japonezo-amerikane.

Një tjetër gjë do të jetë ajo në qoftë se në publikimin e ardhshëm të "Sekreteve të Edward Snowden" do të bëhen publike informacione rreth spiunazhit elektronik amerikan kundër Kinës. Dhe se një gjë e tillë mund të ndodhë as që duhet vënë fare në dyshim. Vala e paradokohshme e akuzave reciproke të Uashingtonit dhe Pekinit për akte të spiunazhit kibernetik e konfirmon edhe një herë këtë. Megjithatë nxjerrja e këtij incidenti para gjyqit të opinionit botëror mund të përkeqësojnë në mënyrë të mprehtë, madje dramatike, marrëdhëniet mes Republikës Popullore të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.