Personi që publikoi sekretet e shërbimeve amerikane të inteligjencës, 29-vjeçari Edward Snowden për të katërtën ditë rresht ndodhet në zonën e tranzitit të aeroportit "Sheremetievo" të Moskës. Kjo u konfirmua nga Presidenti rus Vladimir Putin. Për më tepër ai theksoi se Snowden mbërriti në Moskë si një pasagjer tranzit dhe nuk e kaloi kufirin rus.

Mirëpo, pasi u bë e ditur se Snowden fluturoi nga Hong Kong-u në Moskë, autoritetet amerikane i drejtuan një sërë kërkesash Rusisë për ekstradimin e të kërkuarit. Në SHBA Snowden akuzohet për tradhti. Ai rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm apo edhe me dënimin me vdekje. "Edward Snowden nëpërmjet veprimit të tij, mbi të gjitha, mbrojti të drejtat e njeriut", - mendon anëtari i Këshillit Presidencial për të Drejtat e Njeriut, Aleksandër Brod:

- Snowden ka treguar se është një aktivist i të drejtave të njeriut. Ai shpalosi problemin që shqetëson qytetarët e Shteteve të Bashkuara, si dhe ata të vendeve të tjera. Ai foli për të drejtën e sigurisë personale, mbrojtjen e informacionit konfidencial. Tani ai ndodhet në një situatë të vështirë: Shtetet e Bashkuara i kanë shpalur atij luftë, ai rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm. SHBA-ja shprehet me deklarata të ashpra dhe u bën thirrje vendeve të tjera që të mos i japin atij azil politik. Prandaj, unë besoj se në interes të sigurisë së personit në fjalë dhe në mënyrë që të zgjidhet problemi që ai ka ngritur duhen zbatuar mekanizmat ligjore ndërkombëtare për mbrojtjen e qytetarëve nga ndërhyrja në jetën e tyre private të shtetit dhe shërbimeve të sigurisë. Unë jam i mendimit se Rusia duhet të mbrojë sigurinë e Snowden.

Aktivistët rusë të të drejtave të njeriut u bëjnë thirrje autoriteteve ruse t’i ofrojnë azil politik Edward Snowden, natyrisht, nëse ai u drejtohet atyre me një kërkesë të tillë. Aktualisht nuk ka patur asnjë kërkesë nga ana e ish-punonjësit të CIA-s drejtuar Moskës.