Vizita e Kreut të ANEA-s është e lidhur me hapjen më 27 qershor në Shën Petersburg të Konferencës Ndërkombëtare "Energjia bërthamore në shekullin e 21-të". Gjatë bisedimeve me Yukiya Amano Vladimir Putin theksoi natyrën konstruktive të marrëdhënieve të Rusisë me agjencinë dhe rikujtoi se Rusia ishte nja nga themeltaret e saj në vitin 1957. Presidenti rus deklaroi se ANEA është një mjet shumë i rëndësishëm pune në sferën e ndjeshme të teknologjive bërthamore dhe informoi Ykiya Amano rreth planeve të vendit për zhvillimin e energjisë bërthamore:

- Ne jemi duke planifikuar që në vitet e ardhshme të rrisim kapacitetin bërthamor, duke u bazuar në teknologjitë më bashkëkohore dhe të sigurta. Ne e bëjmë të gjithë këtë në sajë të teknologjive që ne i quajmë “postfukushima”, të cilat parashikojnë sigurinë maksimale të përdorimit të energjisë bërthamore. Ne shpresojmë shumë në vazhdimin e bashkëpunimit tonë dhe në mbështetjen e të gjitha përpjekjeve tona nga ana juaj.

Nga ana e tij Yukiya Amano e falenderoi liderin rus për mbështetjen që ai i ofron ANEA-s dhe vuri në dukje se Rusia është një nga partnerët kryesorë të agjencisë. Ai deklaroi se në konferencën e ardhshme në Shën Petersburg do të ofrohet një mundësi e mirë, për të diskutuar të ardhmen e energjisë bërthamore dhe masat e nevojshme për zhvillimin e saj dhe garantimin e sigurisë:

- Unë besoj se konferenca ndërkombëtare e Shën Petersburgut do të mbahet tamam në kohë, pasi kanë kaluar më shumë se 2 vjet që nga koha e incidentit në centralin bërthamor "Fukushima-1". Përveç kësaj ne e pranojmë se vendi juaj luan një rol udhëheqës në prodhimin dhe zhvillimin e teknologjive bërthamore.

Sipas burimeve në Kremlin, Putin dhe Yukiya Amano diskutuan jo vetëm partneritetin mes Rusisë dhe ANEA-s, por edhe problemet që lidhen me mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë. Pikat më të dhimbshme në këtë fushë janë të njohura për të gjithë - programet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut, të cilat shkaktojnë shqetësim në mesin e vendeve perëndimore dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.