Një bashkëpunëtor i shërbimit të sigurimit izraelit, i cili ishte përgjegjës për garantimin e sigurisë në zonën e Murit të Vajtimit në Jeruzalem, qëlloi për vdekje me armë zjarri sot në mëngjes një shtetas izraelit. Incidenti ndodhi kur burri, i cili doli nga WC-ja, nuk dihet përse bërtiti me zë të lartë “Allahu Ekbar” dhe më pas u përpoq të nxirrte nga xhepi një objekt të dyshimtë.

Mjekët u përpoqën t'i shpëtonin jetën personit të qëlluar, por më kot. Policia ka nisur hetimin e incidentit.

Një nga dëshmitarët okularë tha se pati 7-10 të shtëna. Dëshmitarët njoftuan gjithashtu se e kishin parë disa herë personin në fjalë. Ai kishte përqafuar fenë islame para pak kohësh dhe dallohej për sjelljen e tij të çuditshme.