Putin mbi papunësinë në botë: "Kjo tashmë është një tragjedi!"

Presidenti rus Vladimir Putin, gjatë fjalimit të mbajtur në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, shprehu shqetësimin e tij në lidhje me barrën e borxhit në rritje si dhe dinamikën e papunësisë në shumë vende të botës, sidomos në mesin e të rinjve.

"Të shqetësojnë pa masë shifrat e papunësisë - rreth 200 milionë njerëz janë të papunë në radhët e popullsisë së aftë për punë. Shumë e vështirë është situata në Afrikën e Jugut", - theksoi Putin, duke shtuar se papunësia në Greqi arrin në më shumë se 60% të popullsisë, në Portugali dhe Itali - mbi 40%, në Spanjë - 56%.

"Dëgjoni, kjo tashmë është një tragjedi. Kjo është një situatë shumë e rrezikshme dhe jo vetëm për ekonominë, por edhe për sferën sociale, sferën politike", - tha ai.

Galeria fotografike

Putin: "Rosneft" ka përgatitur një kontratë me vlerë 60 miliardë $ me Kinën

Kompania "Rosneft" ka përgatitur një kontratë me vlerë 60 miliardë $ me Kinën për furnizimin me qindra miliona ton naftë, njoftoi Presidenti rus Vladimir Putin në një takim me Zv.Kryeministrin e parë të Këshillit Shtetëror të Kinës Zhang Gaoli, i cili mbërriti në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut.

"Kemi shpresa të mëdha për sa i përket bashkëpunimit të Kinës me "Gazprom" dhe "Novatek". Të gjitha këto janë projekte të mëdha afatgjata, të hartuara për shumë vite që do të vijnë, - tha Putin. - Ne i kushtojmë vëmendje edhe fushave ku gjejnë veprim teknologjitë e larta. Unë jam i sigurt se në këtë drejtim ne kemi perspektiva të mira".


Kreu i OBT-së: "Rregullat e lojës do të rishkruhen si pasojë e rritjes ekonomike të vendeve në zhvillim"

Kriza ekonomike globale mund të kapërcehet me bashkëpunimin e tregjeve të zhvilluara me vendet në zhvillim, tha me siguri Kreu i Organizatës Botërore të Tregtisë, Pascal Lamy. Puna në këtë drejtim do të të ndihmojë në ndryshimin e botës rutine, ku të pasurit janë të fortë, ndërsa të varfërit janë të dobët, domëthënë botën, ku në një vend të fortë sigurisht që ka shumë të pasur dhe në një vend të dobët ka shumë të varfër, mendon ai.

"Tashmë me rritjen ekonomike të vendeve në zhvillim do të rishkruhen rregullat e lojës. Ekspertët tani, për shembull, nuk dinë se si ta përshkruajnë Kinën: si një vend të pasur, ku ka shumë të varfër, apo si një vend të varfër, ku ka shumë të pasur", - theksoi Pascal Lamy.


Investitorët e huaj janë të kënaqur me klimën e investimeve në Rusi

Investitorët e huaj janë të kënaqur me klimën e investimeve në Rusi, tha në një intervistë për "Zërin e Rusisë" Presidenti i KPMG International Michael Andrew.

"Rusia është një vend me potencial të madh. Investitorët e huaj kanë një përshtypje mjaft pozitive për Rusinë, për klimën e saj të investimeve", - theksoi Michael Andrew.

"Presidenca e ardhshme e Rusisë në Samitin e "Njëzetëshes së Madhe" dëshmon që tani se ky vend përbën aktualisht një nga forcat më të mëdha politike dhe ekonomike", - theksoi ekonomisti.


Lavrov: "Çarmatimi bërthamor i Rusisë dhe SHBA-së varet nga sistemi i mbrojtjes antiraket"

Reduktimi i rezervave të armëve bërthamore duhet të diskutohet jo vetëm nga Rusia dhe SHBA-ja, por dhe nga të gjitha vendet që posedojnë armë të tilla, deklaroi Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut.

Barack Obama një ditë më parë deklaroi se Shtetet e Bashkuara mund të reduktojnë pa problem me 1/3 sasinë e armatimeve të veta strategjike ofensive, natyrisht, në qoftë se Rusia do të bëjë të njëjtën gjë. Moska beson se nuk duhet nxituar shumë me avancimin  përpara dhe se fillimisht nevojitet të zbatohet deri në fund marrëveshja e nënshkruar.

Sipas Kreut të Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, në bisedën lidhur me reduktimin e ri të armatimeve bërthamore Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do të ngecin në çështjen e mbrojtjes antiraket.

 

Ministrja franceze: Asaj çka do të thotë Putin në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut do t’i vënë veshin në të gjithë botën

Fjalimi i Presidentit rus Vladimir Putin do të jetë pika kulmore e Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, deklaroi Ministrja e Tregtisë së Jashtme të Francës, Nicole Bricq.

"Për mua është krejtësisht e qartë se fjalimi i Presidentit Vladimir Putin do të bëhet pika kulmore e forumit. Falë rritjes së vet shumë të ndjeshme ekonomike Rusia është bërë një lojtare e madhe në ekonominë globale, kështu që asaj çka do të thotë Kryetari i shtetit rus do t’i vënë veshin në të gjithë botën", - tha Bricq, e cila kryeson delegacionin e qeverisë franceze në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut.


Forumi Ekonomik Ndërkombëtar i Shën Petersburgut: Rusinë dhe Kinën do t’i lidhë ura mbi lumin Amur

Sot gjatë Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut u nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e urës hekurudhore mbi lumin Amur, e cila do të lidhë Rusinë dhe Kinën. Kostoja e projektit është vlerësuar në 280 milionë $. Ndërtimi i saj mund të nisë që në vitin 2013.

Ura e re do të ndërtohet pranë qendrës së banuar Nizhneleninskoje të Qarkut Autonom Hebre. Nëpërmjet kësaj ure drejt Kinës do të nisen vagona me mineral hekuri, qymyr, plehra kimike, produkte pyjore dhe mallra të tjera. Në Rusi nëpërmjet urës do të importohen kryesisht kontejnerë.


Aplikimi i Ekaterinburgut për zhvillimin e Expo 2020 është paraqitur në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut

Aplikimi i Ekaterinburgut për zhvillimin e Ekspozitës Botërore Expo 2020 është paraqitur në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut (FENSH) në formën e një stende të gjallë dhe mjaft interesante.

Siç treguan sot në Komitetin e Ofertës Expo 2020, pjesëmarrja në këtë forum është një hap tjetër avancimi i aplikimit të Rusisë për të drejtën e pritjes së Ekspozitës Botërore.

Stenda është projektuar në formën e një mini-kafeneje, të cilën mund ta vizitojnë mysafirët e forumit, madje atje mund të zhvillohen edhe takime. Gjithashtu në Forum të ftuarve u shpërndahen materiale promovuese, ndërsa në ekrane të mëdha shfaqen video me temën Expo në Ekaterinburg", - vunë në dukje në Komitetin e Ofertës.

Nga data 20 deri më 22 qershor liderët e kompanive më të mëdha do të takohen në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut (FENSH 2013). Ndër temat kryesore, të cilat do të diskutohen në takimet në margjinat e forumit, janë parashikimet e zhvillimit të ekonomisë ruse dhe asaj botërore, reforma e pensioneve, korrupsioni dhe problemet globale financiare.

Forumi do të mbahet nën temën "Perspektivat e ekonomisë globale: koha e veprimeve vendimtare”. Në programin e forumit do të pasqyrohet tema e "G-20", pasi FENSH 2013 po zhvillohet në vitin e presidencës së Rusisë në grupin e “G-20”. Në platformën e forumit do të zhvillohen veprimtaritë "Rinia e G-20", "Biznesi i G-20" si dhe Forumi i Biznesit "Rusia - Shoqata e vendeve të Azisë Juglindore".