0Nëse për kompanitë e huaja nuk do të bëhen përjashtime, atëhere trenat rusë mund të bëhen, në kuptimin e plotë të fjalës, të "ndaluar për hyrje" në territorin e BE-së.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme është ndarja e plotë e kompanisë, e cila drejton rrjetin kryesor të linjave hekurudhore, nga operatori i transportit. Ndërkohë Rusia ka filluar tashmë të jetojë sipas këtyre rregullave, theksoi eksperti rus i transportit Aleksei Bezborodov:

- Ne kemi një infrastrukturë tërësisht të ndarë nga aktivitetet e transportit. Ne kemi disa kompani të mëdha shtetërore ose pjesërisht në pronësi të shtetit, të cilat realizojnë manipulimin e rrugëve hekurudhore, kurse 90% e parkut të trenave tek ne është privat.

Por pasi punuan për një farë kohë në këtë regjim kompanitë hekurudhore ruse filluan të flasin mbi nevojën e centralizimit të madh. Sipas statistikave, në Rusi 70% e ngarkesës së hekurudhave i bie transportit të mallrave. Rregullimi (sistematizimi) i tij është shumë më i vështirë se ai i transportit të pasagjerëve. Për nisjen e trenave të mallrave kërkohet një ndërveprim më i ngushtë i operatorëve të rrjetit të dispeçerisë dhe trenave në rrugë e sipër. Dhe është një ide fort e mirë përqëndrimi i rregullimit të këtij aktiviteti në një palë duar, mendojnë ekspertët rusë.

Përveç kësaj, Paketa e Katërt Hekurudhore presupozon mungesën e kufijve ndarës në tregun e BE-së: që nga 1 janari i vitit 2019 çdo transportues do të fitojë të drejtën për të punuar në territorin e një shteti tjetër anëtar të Bashkimit Evropian. Vendimet do të merren në bazë të rregullave të ankandit të hapur. Do të fitojë ai që ofron shkallën më të ulët nën kushte të njëjta. Siç sigurojnë në Komisionin Evropian, një konkurrencë e tillë do të përmirësojë cilësinë e shërbimeve dhe do t’i bëjë çmimet më të ulëta.

Megjithatë, në vetë Evropë jo të gjithë janë dakord me këto inovacione (risi). Në veçanti, Franca ka investuar dhjetëra miliarda euro në ngritjen e një rrjeti modern të trenave të shpejtë. Dhe tani Parisi është tej mase i indinjuar nga propozimi që me linjat hekurudhore të ndërtuara me paratë e taksapaguesve francezë të fitojnë kompanitë e vendeve të tjera.

0Megjithatë problemi kryesor konsiston në faktin se përfaqësuesit e BE-së nuk mund të thonë se si do të zbatohen marrëveshjet, të cilat ekzistojnë në mes të kompanive europiane dhe përfaqësuesve të vendeve të tjera, veçanërisht të Rusisë.