Para Samitit të "G-8" në Irlandën e Veriut presidentët e SHBA-së dhe Rusisë, respektivisht Barack Obama dhe Vladimir Putin, rezervuan palestrën e hotelit në të njëjtën kohë, por asnjëri prej tyre nuk dëshiroi të stërvitej së bashku me homologun e vet apo të hapte rrugë, njoftoi gazeta britanike “The Sun”.

Si përfundim, rezultoi se Barack Obama e kishte bërë më herët kërkesën dhe e fitoi këtë "luftë të ftohtë", vë në dukje me ironi gazeta. Vladimir Putin në vend të stërvitjes në palestër vendosi të notojë në liqenin e ftohtë lokal.

Kryeredaktori i Radiokompanisë "Eho e Moskës" (russ. “Эхо Москвы”) Aleksei Venediktov bëri shaka në lidhje me këtë fakt: "Presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe përbindëshi i liqenit Lough Ness (Skoci) do të zhvillojnë një takim në margjinat (brigjet) e “G-8”. Ata do të diskutojnë çështjet që paraqesin interes reciprok dhe përfitim të ndërsjelltë”.